Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton sot për herë të parë Tiranën. Blinken, i cili ka shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha, pritet të mbërrijë në aeroportin e Rinasit rreth orës 11:00.
Vizita e Blinken ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi jo vetëm konfirmon partneritetin strategjik me SHBA-të, por forcon pozitat e Shqipërisë si një vend kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor. Një mesazh mbështetjeje për drejtësinë dhe SPAK pritet të jepet gjithashtu nga kjo vizitë e Blinken, i cili do të do shoqërohet edhe nga ish-ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim.
Rreth 8 orë do të zgjasë qëndrimi i Blinken në Shqipëri. Tirana është ‘veshur’ me flamuj amerikan, ndërsa një banderolë gjigande është vendosur në korpusin e Universitetit të për t’i uruar mirëseardhjen numrit dy të administratës amerikane.
Sekretari i Shtetit do të pritet në Rinas nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani e më pas nën masa të rrepta sigurie do të udhëtojë drejt kryeqytetit, ku në axhendë janë parashikuar takim me kreun e Shtetit Bajram Begaj, si edhe me kreun e qeverisë Edi Rama.
Takimi me kryeministrin pritet të zhvillohet në harkun kohor 16:00-19:00, që më pas do të përmbyllet me një konferencë për shtyp. Ndonëse është përfolur shumë në media, ende jo zyrtar, mbetet një takim i mundshëm me kreun e SPAK, Altin Dumani.
Mes dy vendeve aleate pritet të nënshkruhen edhe dy marrëveshje, të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.


