Banorët e zonës ku ndodhi shpërthimi shprehen për Gazeta “Shqip” se janë ndjerë të tronditur dhe madje fillimisht mendonin se ishte një tërmet dhe nuk i shkonte mendja se kishte ndodhur një atentat me eksploziv në rrugë që më pas rezultoi se u krye ndaj shtetasit Preng Gjinit.
Zona ku ndodhi shpërthimi pasditen e së martës është tejet e populluar, një nga banorët e zonës shprehet për Gazeta “Shqip” se “mendonim se ishte tërmet, na u trondit pallati”, ndërsa shton “një shoku im ishte lokal në momentin kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm, përjetoi një tmerr të vërtetë”.
Copat e makinave fluturuan deri në 30 metra largësi në të dyja anët e rrugës dhe se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm.
Atentatorit e kanë ruajtur dhe vëzhguar lëvizjet e 51-vjeçarit Gjini. Në momentin kur po udhëtonte nga Vasil Shanto drejt ish-Stacionit të fundit të Tiranës së re, kur Gjini mori kthesën te Ura mendohet se shtypën telekomandën nga distanca dhe shpërthyen makinën. Pranë zonës ku ndodhet shpërthimi ka një veçori të veçantë, pasi aty ndodhej edhe një objekt i rëndësisë së veçantë, që është rezidenca ushtarake turke, që ruhet nga ushtarë të huaj dhe shqiptarë, Garda.
Madje një nga punonjësit aty duke biseduar për ngjarjen shprehet se menjëherë pas atentatin të ndodhur ka pasur edhe mesazhe në celularin e tij nga Turqia për ngjarjen, pasi aludonin për ndonjë akt terrorist ndaj kësaj qendre. “Menjëherë pasi ndodhi ngjarja më erdhën mesazhet nga Turqia dhe më pyetën. Ishin nga ish-punonjës ushtarak të kanë punuar në Shqipëri”, shprehet një nga punonjësit që nuk dëshiron të identifikohet për “Shqip”.
Kamerat, shpresa te turqit për zbulimin e autorëve
Zona ku ndodhi shpërthimi në Tiranë ka qenë tejet e populluar dhe ka disa institucioneve. Policia shpreson që me anë të kamerave filmike të sigurohen pamjet filmike dhe për të parë lëvizjet e dyshimta që kanë shoqëruar Gjinin gjatë lëvizjes me makinë, madje dhe ndonjë kalimtarë që mund të priste në afërsi të urës për të të shtypur telekomandën e shpërthimit. Aludohet se Gjini mund të jenë ndjekur në distancë me makinë, ose dikush që e ka ndjekur lëvizjet nga lart e ka paralajmëruar se ai po udhëtonte drejt zonës së rrugës që të çonte te ish-NSHRAK-u.
Shpresa e vetme për të siguruar pamjet filmike duket se janë pikërisht kamerat e vendosur në zonë e sigurisë të veçantë të Rezidencës ushtarake turke, pasi aty kanë qenë pikërisht me rezolucion të lartë dhe më kënd rrotullues, pikërisht në krahun e rrugës kur ndodhi atentati. Kamera e sigurisë e rezidencës ushtarake turke besohet se ka filmuar të gjithë skenën.
Kamera të tjera janë matanë rrugës, te shtylla e semaforit, si dhe tre kamerat e bashkisë, si dhe të një banke që ndodhet matanë urës ku ndodhi shpërthimi i fortë. Policia ka siguruar pamjet filmike janë sekuestruar që ditën e djeshme në Bashki me shpresën e fiksimit të personi që ka aktivizuar tritolin, por edhe të disa subjekteve në zonë.