Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën këtë të diel, ku për pasojë një person është ekzekutuar në një atentat me armë zjarri pistoletë brenda në automjet.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Golemit, pranë varrezave të këtij fshati. Viktima është Angjelin Shkambi, 32-vjeç, i cili gjatë kohës që ndodhej në automjetin “Mercedes Benz” me targa AA 275 BF, është qëlluar nga persona të paidentifikuar. Shkambi po dilte nga varrezat kur ndaj tij është bërë atentati fare pranë dyqani lulesh. Policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur tre gëzhoja pistolete.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe identifikimin e autorëve të këtij krimi. Gjithashtu po punohet edhe për zbardhjen e të shkuarës së viktimës nëse rezulton apo jo me të shkuar kriminale.
Me datë 17.12.2017, rreth orës 11:10, Salla Operative është njoftuar se në rrugën që të çon tek varrezat e “Stom Golemit”, një person në një makinë, është pa shenja jete.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Benz” me targa AA 275 BF , ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.Sh. 32 vjeç, banues në Shkodër, i vrarë me armë zjarri nga persona akoma të paidentifikuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja pistole. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Vijon…



