Gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shfaq në Manëz duke takuar banorë të prekur nga tërmeti i nëntorit.
Basha publikoi në facebook videon me kryefamiljarin e familjes Barruku në fshatin Kameras të Manzës, duke shkruar se prej 10 muajsh, shteti nuk ka marrë asnjë masë për të strehuar këtë familje.
Por Bashkia Durrës ka hedhur poshtë pretendimin e Bashës, pasi kryefamiljari Kadri Riza Barruku, duke filluar nga data 27.12.2019, pra vetëm një muaj pasi humbën banesën e tyre, janë trajtuar me bonus qiraje në masën 30 mijë lekë në muaj, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.649 dt.27.12.2019.
Gjithashtu Bashkia sqaron se përsa i përket shtëpisë, e cila është shpallur e pabanueshme, z. Barruku është një nga përfituesit e programit të rindërtimit të banesave. Aplikimi i tij në platformën “Shtëpia Ime” është aprovuar me Vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 77 dt.10.08.2020, ku në listën e përfituesve bashkëngjitur Vendimit, figuron edhe emri Kadri Riza Barruku, i cili do të përfitojë një shtëpi të re, shumë më të mirë e të sigurt se ajo që humbi për shkak të tërmetit dhe mbi të gjitha, falas.
Sqarim i Bashkisë Durrës:
Në vijim të një rasti të bërë prezent sot në media, për familjen Barruku në Manëz si një nga familjet e prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 në Bashkinë Durrës, sqarojmë se Z. Kadri Riza Barruku, duke filluar nga data 27.12.2019, pra vetëm një muaj pasi humbën banesën e tyre, janë trajtuar me bonus qiraje në masën 30 mijë lekë në muaj, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.649 dt.27.12.2019. Në listën shoqëruese të këtij vendimi, me përfituesit e bonusit të qerasë është edhe emri i z.Kadri Barruku.
-Deri me sot z.Barruku ka perfituar 7 këste të bonusit të qerasë, me i fundit ka kaluar në llogarinë e tij bankare në daten 6 gusht 2020.
-Përsa i përket shtëpisë, e cila është shpallur e pabanueshme, z. Barruku është një nga përfituesit e programit të rindërtimit të banesave. Aplikimi i tij në platformën “Shtëpia Ime” është aprovuar me Vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 77 dt.10.08.2020, ku në listën e përfituesve bashkëngjitur Vendimit, figuron edhe emri Kadri Riza Barruku, i cili do të përfitojë një shtëpi të re, shumë më të mirë e të sigurt se ajo që humbi për shkak të tërmetit dhe mbi të gjitha, falas.
Aktualisht Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është në proces hartimi të planit të detyruar pikësor për rindërtimin e banesave individuale në zonën e Manzës, me përfundimin e të cilit, do të fillojë menjëherë puna për rindërtimin.
Bashkia e Durrësit siguron qytetaret e saj se puna për procesin e rindërtimit vijon çdo ditë me ritme të shpejta, për të mos lënë askënd mbrapa dhe për të bërë të mundur që qyteti t’i kthehet sa më shpejt normalitetit, me shtëpitë individuale, pallatet, shkollat, kopshtet dhe infrastrukturë të rindërtuar shumë më mirë se më parë.
I gjithë procesi i rindërtimit dhe vendimet e marra nga këshilli bashkiak në kuadër të tij jane tejet transparente dhe te aksesueshme nga publiku, mediat dhe të gjithë të interesuarit për t’u informuar mbi ecurinë e zbatimit të programeve të rindërtimit.
Stafi i Bashkisë së Durrësit dhe të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e njësive administrative mbeten në dispozicion të plotë të qytetarëve për cdo sqarim, asistencë dhe orientim në lidhje me të gjithë programet e procesit të Rindërtimit.
Në mbyllje, për rastin e sipërpërmendur te familjes Barruku, bashkëngjitur gjeni vendimet përkatëse të Këshillit Bashkiak dhe listat e përfituesve. Për çdo informacion më shumë mbi dosjen dhe dokumentet shoqëruese, Bashkia Durrës mbetet e hapur për të garantuar akses dhe transparencë të plotë ndaj çdo pale të interesuar.
(TemA)