Një prift 94-vjeçar është arrestuar në Nigeri pasi mallkoi të dyshuarit e një dhune të kohëve të fundit.
Policia tha se Anazo Ilomuanya u punësua nga një grup të rinjsh që u përpoqën t’i japin fund vrasjeve që prekin qytetin Ozubulu, në jug-lindje të vendit.
Policia arrestoi priftin pasi vendasit u ankuan.
Konflikti, që mendohet të jetë midis bandave rivale të drogës, çoi në vrasjen e 13 anëtarëve të kishave vitin e kaluar. Besohet se autorët gabimisht mendonin se objektivi i synuar i sulmit ndodhej në Kishën e Shën Filipit. Në atë kohë, policia tha se vrasja ishte rezultat i një grindjeje midis nigerianëve nga Ozubulu, të cilët jetonin jashtë vendit dhe se dhuna mund të lidhej me trafikimin e drogës.
“Të rinjtë e qytetit, duke kërkuar një mjet për t’i dhënë fund vrasjeve, ranë dakord me priftin për të lëshuar mallkime mbi njerëzit e përfshirë”, tha zëdhënësi i policisë Haruna Muhammed për BBC Igbo. Por të tjerët në qytet ishin të pakënaqur dhe denoncuan priftin dhe të rinjtë në polici, shtoi Muhammed.
Të arrestuarit duhet të paraqiten në gjykatë, por është e paqartë se për çfarë do të akuzohen, pasi nuk konsiderohet një krim të mallkosh dike, sipas ligjit nigerian.
/AlpeNews.al