Ardi Veliu, që prej së hënës është emëruar në krye të Policisë së Shtetit, ishte komentuar gjatë nga kolegët e tij, por dhe nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, si “dora e hekurt” që i duhej Policisë në këto kohë të vështira.
“I ashpër sa i përket etikës, komunikimit, orarit dhe veshjes së efektivëve dhe një drejtues që nuk bën kompromis kur vjen puna te zbatimi i ligjit”. Kështu përshkruhej Ardi Veliu gjatë ditëve kur përflitej emërimi i tij si drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Ata që e njihnin më mirë se kushdo ishin punonjësit e Policisë së Tiranës.
Ishin të parët që u përballën me “ashpërsinë” e tij, që në ditën e parë kur ai hyri në zyrën e drejtorit të Policisë së Tiranës, më 28 prill të vitit 2017.
Për Ardi Veliun aspekti i komunikimit, disiplina dhe paraqitja e jashtme ishin më të rëndësishmet dhe për këtë ra dakord që në fillim.
Por pasi “rregulloi” Policinë e Tiranës, tashmë me rregullat e tij duhet të mësohen të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, duke filluar që nga gardëroba.
Ashtu siç pritej, ky ishte edhe urdhri i parë i tij, vetëm 3 ditë pasi mori detyrën më të lartë në Policinë e Shtetit. Kjo sigurisht është vetëm ana formale, pasi nuk mund të lëmë pa përmendur faktin që struktura të caktuara të Policisë, prej ditës kur ai u emërua drejtor i Përgjithshëm, kanë realizuar disa operacione të rëndësishme.
URDHRI
Duke u ndalur tek urdhri i parë që mban firmën e tij, i cili përmban 14 pika, duket se efektivët, kryesisht ata civilë, nuk do e kenë më atë lirshmërinë në veshje si më parë.
Këtë urdhër, Veliu e arsyeton në këtë formë: Nisur nga nevoja për të përmirësuar zbatimin e rregullave të brendshme në Policinë e Shtetit në aspektin e komunikimit, përdorimit të uniformës në punë si dhe zbatimit të disiplinës formale (orari zyrtar)në punë; Me qëllim, zbatimin e rregullave të brendshme të komunikimit, respektimit të hierarkisë, paraqitjes së jashtme, prezantimit me etikë brenda strukturave dhe me publikun, zbatimit të orarit zyrtar të punës nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe përmirësimin e performancës së strukturave qendrore e vendore të Policisë së Shtetit.
KERKESAT
Në urdhrin e tij, Ardi Veliu kërkon që punonjësit e Policisë të zbatojnë standardet më të larta të sjelljes etike në përputhje me vlerat e integritetit, të paanshmërisë dhe profesionalizmit, duke shmangur çdo sjellje joetike dhe të pahijshme. Kërkon mirëmbajtjen e uniformës dhe zbatimin e orarit zyrtar të punës.
“Punonjësi i Policisë është i detyruar të paraqitet në punë dhe të zbatojë orarin zyrtar të punës. Paraqitja në punë duhet të jetë e përshtatshme dhe e tillë që të shprehë kujdesin dhe seriozitetin e vazhdueshëm për anën e tij pamore, nivelin e domosdoshëm të pastërtisë personale dhe plotësimin e kërkesave të domosdoshme të veshjes në ambientet e punës”, thuhet në urdhrin e Veliut.
Ndërsa ndalet edhe tek ata punonjës civilë, që nuk e kanë domosdoshmëri mbajtjen e uniformës së Policisë. Për drejtorët, veshja duhet të jetë me kostum dhe këmishë, kurse për punonjësit e tjerë meshkuj, paraqitja duhet të jetë me xhaketë, pantallona serioze, këmishë dhe kollare.
Veshja për nëpunëset femra duhet të jetë serioze, jo me funde të shkurtra apo këmisha e bluze dekolte, pa nuanca të theksuara ngjyrash, me taka të larta dhe xhinse në formë streçesh, tuta apo veshje të tejdukshme. Ndërsa kërkon që të evitohen qëndrimet e pajustifikuara në lokale.


