Jarduni është një produkt artizanal bulmeti i përgatitur në Alpet e Kelmendit, në veri të Shqipërisë.
Përgatitet duke përdorur qumështin e fundit të bagëtisë, zakonisht të periudhës 20 korrik deri më 20 gusht, pasi ky qumësht përmban më shumë yndyrë dhe e bën më shumë kremoz jardunin.
Pas mjeljes, qumështi duhet të ngrohet dhe vazhdimisht të përzjehet me pak kripë për rreth 20 minuta. Ky proces mbaron në momentin kur qumështi është gati për të vluar, apo kur fillon të trashet. Mund të konsumohet kur të jetë ftohur.
Jarduni nuk mund të ruhet për më shumë se një ditë dhe duhet të konsumohet sapo përgatitet. Ngjyra e bardhë dhe përbërja e tij e bëjnë të ngjashëm me qumështin, por jarduni është më i trashë. Jarduni nuk duhet ngatërruar me kosin.
Jarduni reflekton përdorimin tipik të qumështit të bagëtisë në zonën e Kelmendit, ku është shumë i famshëm dhe i vlerësuar për shijen e veçantë që i jep kosit dhe jardunit. Meqënëse jarduni është një produkt i cili nuk mund të ruhet, sasia e prodhuar për çdo familje është vetëm për përdorim shtëpiak dhe e lidhur ngushtë me numrin e anëtarëve të familjes dhe numrin e bagëtive.
Jarduni rrezikon të zhduket pasi në vitet e fundit, numri i bagëtive në Kelmend është në rënie. Kjo ndodh për shkak të emigrimit masiv të popullsisë. Për këtë arsye, nevojitet që ky produkt të rivlerësohet nga restorantet dhe bujtinat e zonës.
Ky produkt është produkt i Arkës së Shijes, një nga projektet e Slow Food International, që ka për qëllim ruajtjen e produkteve autentike vendore./shije