Shqipëria po ia del që ti rikthehet normalitetit të jetës së post-pandemisë globale, përmes një protokolli rregullash të forta të hapjes së shpejtë por të kontrolluar, me energjitë e reja të akumuluara nga qytetarët e saj pas një reflektimi të thellë përgjatë javëve të vetkarantinimit. Ndihet një ristartim energjik për të rilidhur hallkën e zinxhirit të punëve të djeshme, përmes projeksionit për të ardhmen.
Bilanci zyrtar dëshmon se vdekshmëria në vendet e Ballkanit, nga sulmi i Covid-19, është në nivelet më të ulëta. Shqipëria bën pjesë në top listën e shteteve që u mbrojtën më mirë, përmes masash energjike dhe vendimesh efektive, duke pësuar më pak goditje nga virusi vrasës. Sëbashku me Bullgaria, Sllovakinë dhe Ukrainën, bëjmë pjesë ndër vendet me numrin më të vogël të humbjeve njerëzore për frymë të popullsisë në Europë.
Ky bilanc pozitiv, e bën qeverinë e Kryeministrit Edi Rama, të marë frymë pak më e qetë, pas shumë javësh impenjimi maksimal me fokus rujajtjen e jetës së qytetarëve dhe garantimin e vijimësisë normale të jetës social- ekonomike të vendit. Brenda 6 muajve të fundit, mazhoranca kaloi dy prova të njëpasnjëshme zjarri; menaxhimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit dhe luftën kundër Covid-19.
Rihapja e ekonomisë përmes rifillimit të punës së të gjitha binzeseve, përshtatja e tyre me realitetin e ri post- pandemik, ngritja e të gjitha kantiereve të rindërtimit nga tërmeti, përgatitja urgjente për një sezon turistike sa më të mirë të mundshëm në kushtet e krijuara, janë disa nga sfidat e ditëve në vijim për mazhorancën.
Ndërkohë që mbetet të përmbyllet me konsensus së më të gjerë në Parlament, reforma e re elektorale. Më pas, hetimi ndaj Presidnetit dhe një sërë reformash të reja ligjore, përfshi ato në fushën e medias. Kjo bën që kësisoj, të rifillojë energjikisht puna edhe në nivelet e organizimit politik dhe elektoral, për të projektuar në muajt në vijim, fitoren e mandatit të tretë në zgjedhjet e qershorit 2021.
Në kontrast të thellë me këtë pasqyrë të situatës optimiste të mazhorancës, është ajo e opozitës. Kur ka mbetur një vit nga fillimi zyrtar i fushatës elektorale, ajo është më e përçarë se kurrë në historinë e saj. Pas 7 vjetësh, kuotat e Lulzim Bashës në Krye të PD janë më të ulëtat jo vetëm në perceptimin publik, por edhe në sondazhe dhe në realitetin e organizimit të brendshëm të strukturave të saj.
Kriza më e thellë që po përjeton opozita shqiptare sot, e që pritet të thellohet akoma edhe më tepër në të ardhmen, është ajo e lidershipit. Askush nuk është në gjendje që ti japi përgjigje të qartë pyetjeve: Kush është lideri real i opozitës shqiptare: Sali Berisha? Ilir Meta? Apo Lulzim Basha? Pa u zgjidhur kjo trilemë, opozita nuk i ofron sot oponentëve të Edi Ramës e PS as optimizëm, as shpresë dhe siguri se do ia dali këtë radhë që të krijojë një ekip, program dhe fushatë fituese.
Nga ana tjetër, edhe vetë partia e dytë LSI, pas tri vitesh në opozitë po reflekton problemet e veta, duke i vendosur përkrahësit përpara dilemës: A do jenë një parti rreth Monika Kryemadhit? Apo duhet të presin sipas mesazheve që morën nga protesta e 2 marsit, për të patur edhe një parti të re të udhëhequr nga Ilir Meta? A do të jetë ajo një parti tjetër e majtë në opozitë? Apo një bashkim i ri nacionalistësh, sovranistësh dhe të pakënaqurish nga brenda kampit të së djathtës?
Në horizont, janë dhënë sinjale të qarta, për krijimin e partive të reja nga personalitete politike brenda së djathtës tradicionale parlamentare, të cilat e komplikojnë akoma edhe më shumë, ekuacionin politik të opozitës në zgjedhjet e ardhshme.
Në këto kushte, rikthimi i normalitetit të jetës social- ekonomike dhe politiko- shoqërore të vendit pas pandemisë, dëshmon se e majta ka dalë edhe më e fortë nga kjo luftë. Duke e zhytur akoma edhe më thellë opozitën, në dilemat e saj ekzistenciale dhe të prespektivës së qartë, për të ardhmen.