Nuk i shpëtojmë dot politikës, politizimit dhe bisedave, komenteve e debateve politike as kur jemi me pushime. Edhe kur kemi festat e nëntorit si këto të këtyre 5 ditë të pushimeve edhe të administrates e shkollave, por jo vetëm. Edhe kur kemi festat e fundvitit, edhe kur kemi festa të tjera gjatë 52 javëve të një viti kalendarik të cilat shyqyr Zotit i kemi me bollëk, por edhe kur jemi me pushime vjetore, verore a dimërore qofshin. Edhe për fundjava, edhe kur udhëtojmë brenda apo jashtë vendit, vetëm apo me familjet, me shoqërinë apo miq më të paktë, përsëri meremi me politikë. Debatojmë për politikë, flasim për politikë, komentojmë dhe konsumojmë politikë.
Se nga buron e gjithë kjo predispozitë e jona kolektive, për ta shndërruar të marurit me politikë në një sport të përbashkët kombëtar, është një çështje tjetër, të cilën nuk mund ta shterojmë dot brenda këtyre radhëve. Por se kush e nxit dhe kërkon me çdo çmim që ta mbajë atë gjallë, sepse vetëm në këtë mënyrë mbijetojnë prej 27 vjetësh, kjo nuk do shumë mend që ata janë liderët tanë politikë. Mjafton që për këtë të shohësh raportin e tyre me aktivitetin politik gjatë ditëve të festave. Mund të ndodhte kjo, edhe me Edi Ramën, edhe me Ilir Metën edhe Me Gramoz Ruçin, edhe me Monika Kryemadhin, edhe me Lulzim Bashën.
Por në fakt,- uroj rastësisht(?!),- ka ndodhur sot me Sali Berishën. Nëse futeni dhe kontrolloni përshembull vetëm postimet e tij në facebook gjatë ditës së sotme, do të shihni se ka bërë jo pak, por plot 7 (shtatë) të tilla. E ta mendosh që sot është edhe e dielë pushimi nga Zoti (na ka dalë borxhit në fakt, sepse na e ka shprehur se e dashuron këngë franceze “I urrej të dielat”) por edhe pjesë e 5-ditëshit të kalendarit të festave të nëntorit.
Të gjitha postimet e tij janë politike. Të gjitha me mesazh të qartë, të përcaktuar të dedikuar gjithë listës kryesore të kundërshtarëve të tij tek PS, tek qeveria e tek mazhoranca e majtë në tërësi. Postimi i parë është kundër Erion Velisë. I dyti, kundër Edi Ramës dhe gjithë ministrave të tij, të dalë në një foto të postuar në mëngjes nga Kryeministri. E treta, kundër Ramës dhe vëllait të tij, Olsit. E katërta, kundër Gramoz Ruçit. E pesta, kundër Fatmir Xhafajt. E gjashta, kundër Kryeministrit e sërisht vëllait të tij dhe ndaj Saimir Tahirit, Haki Çakos e Damian Gjiknurit. E fundit, kundër Edi Ramës përsëri.
Kaq mjafton për të ushqyer gjithë ditën me lajme mediat që në një ditë boshllëku nga mbyllja e institucioneve, mezi presin që ti botojnë. E për rrjedhojë ti shpërndajnë nëpër miliona ekrane televizorësh, aparate celularësh nëpërmjet internetit e portaleve dhe rrjeteve sociale. Praktikisht, ato mbërrijnë tek çdo qytetar, në çdo shtëpi, në çdo mikroambjent shoqëror ose jo, në çdo grupim shqiptarësh, kudo që ndodhen brenda apo jashtë Shqipërisë këto ditë. Kaq mjafton, për të kuptuar që bashkë me këto postime, është shpërndarë edhe overdoza ditore e ushqimit politik për secilin.
A ka ndonjë mënyrë, ndonjë ilaç, ndonjë antikorp, antidodë apo diçka tjetër që ti bëjë shqiptarët, të paktën në ditët e festave dhe pushimeve, të mos meren me politikë, të mos flasin e debatojnë për politikë por vetëm të gëzojnë e të pushojnë, të koten apo të bëjnë çfarë ia ka qejfi e ënda? Shumë japin formula që mediat ti injorojnë politikanët dhe deklaratat e tyre në këto periudha. Besoj se edhe ata vetë e kuptojnë që kjo është një recetë utopiste. Të tjerë thonë se politikanët duhet ta kuptojnë vetë, e ta mbyllin në mos gojën, facebook-un, twitterin e kanalet e tjera të komunikimit këto ditë. Ja përshembull Lulzim Basha ka dy ditë që e ka bërë. Por nuk e bën Sali Berisha, kështu që edhe kjo recetë duket utopike, gjithashtu. Sikundër edhe Edi Rama, pavarësisht se jo edhe aq politike në dukje, i ka nja tri komunikime gjatë ditës së sotme në facebook-un e tij. Si edhe Ilir Meta, një a dy postime.
Formula ka, nga popuj e kombe të tjerë, por ndoshta ato nuk vlejnë edhe për të tjerë, e sigurisht as për ne. Një formulë, është dhënë 80 vjet më parë, në kujtimet e një ish ambasadori Amerikan në Tiranë, në periudhën e Mbretërisë së Zogut. I cili sygjeronte se kur çdo shqiptar do të ketë një punë për të qenë, një shtëpi dhe një makinë të parkuar përpara shtëpisë, atëherë ata nuk do të flasin më për politikë, e do të vdesin si shqiptarë të mirë.
Deri tani nuk ka funksionuar. Me sa duket, sepse nuk janë plotësuar kushtet për të gjithë. Por shpresa ka dhe atëherë kur të gjithë ose shumica absolute, do ti kenë të plotësuara ato, do ia arrijnë me siguri që të bëjnë pushime për qejfin e vet dhe nuk do ia venë më veshin, liderëve politikë. As se ç’farë ata flasin dhe as se ç’farë shkruajnë. Një gjë është e sigurtë, se atëherë kur ta kuptojnë se nuk ka kush ti dëgjojë, liderët e kësaj kulture do të kenë heshtur vetë më pare. Ose koha, do ti ketë nxjerrë nga skena.