Frika se dy partitë e mëdha PD-PS mund te ndryshojnë sistemin zgjedhor ne kurriz të të “vegjëlve” ka vene në lëvizje aleatet e Bashës. News24 dhe BalkanWeb ka mësuar se protesta e opozitës ka zenë pak vend në tryezen e mbajtur mëngjesin e se hënës në selinë blu. Shqetësimi kryesor i kreut te PR Fatmir Mediu, kryetarit demokristian Nard Ndoka dhe atij te LZHK-se Dashamir Shehi të cilët gëzojnë mandatin e deputetit në siglën e PD, por edhe Agron Dukes (kreut te PAA) qe nuk mundi të futej në Parlament ka qenë reforma zgjedhore.
Aleatët mësohet t’i kenë kërkuar Lulzim Bashes ndryshim të sistemit zgjedhor aktual, i cili penalizon partitë e vogla ne të kundërt ata do të rishohin qëndrimin e tyre me Partinë Demokratike, duke paralajmëruar një konfigurim të ri opozitar me fokus kryesor reformën zgjedhore. Aleatët e demokrateve këmbëngulin në ndryshimin e hartës territoriale (shtim te numrit te njësive administrative), një propozim që kryetari demokrat i ka parashtruar kundërshtarit politik, por që ka hasur në refuzimin e kreut të mazhorances. Jo vetëm reforma zgjedhore, por edhe aleancat politike kanë qene pjesë e mbledhjes me dyer të mbyllura.
Faktorizimi i LSI dhe afrimi me PD-ne ka shqetësuar aleatët e Lulzim Bashës, të cilët nuk kane nguruar t’ia shprehin përballë kreut demokrat shqetësimin e tyre. News24 dhe BalkanWeb ka mësuar se Lulzim Basha është treguar i mirëkuptuar teksa i ka siguruar se ata janë aleatët politik ndërkohë qe bashkëpunimi më LSI është në kuadër te frontit opozitar, i cili do zgjerohet edhe me parti të tjera që si përkasin spektrit opozitar.


