Gjykata e Romës ka shpallur të pafajshme duke e zhveshur nga të gjitha akuzat kryetaren e bashkisë së Romës, Virginia Raggi, e akuzuar për falsifikim të akteve publike në procesin hetimor kundër shefit të kabinetit të saj, Raffaelle Marra, i akuzuar për abuzim detyre duke emëruar vëllain e tij në postin e drejtorit të Departamentit për Turizmin në Bashkinë e Romës.
Prokuroria e Romës përfshiu në hetimet e saj dhe kryebashkiaken Raggi duke kërkuar 10 muaj burg për falsifikim aktesh publike në emërimin e këtij posti të rëndësishëm në administratën e Romës.
Kryebashkiakja e Romës ishte e pransishme në seancën gjyqësore mbajtur të shtunën 10 nëntor ku gjykatësi Roberto Ranazzi ka lexuar vendimin e trupit gjykues sipas të cilit “falsifikimi për të cilin akuzohet Virgjinia Raggi nuk përbën krim.”
“Vendimi i sotëm hedh poshtë dy vite baltë që janë hedhur ndaj meje”, ishte komenti i parë i kryebashkiakes Raggi.
NJë reagim i menjëhershëm ka ardhur edhe nga lideri i 5 Yjeve Luigi Di Maio, i cili në një postim në rrejtin social “Facebook” shkruan: “Forca Virginia. I kënaqur se të kam mbrojtur e të kam besuar gjithmonë.”
Gjithashtu dhe aleati qeverisës, Matteo Slavini, ka komentuar se “pafajësia e kryetares së bashkisë së Romës, Virgjinia Raggi është një lajm i mirë. Është e drejtë që qytetarët të gjykojnë administrimin e qytetit në bazë të cilësisë së jetës e jo të hetimeve boshe si rezultuan në këtë rast.”