Një aksident fatal ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje në autostradën Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku një 34-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht.
Sipas të dhënave paraprake, viktima me inicialet A.S. po udhëtonte me motor në drejtim të Lushnjës, kur dyshohet se ka humbur kontrollin e motomjetit dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur në asfalt.
Menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe autoambulanca, por 34-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 17:10, në aksin rrugor Fier–Lushnjë, shtetasi A. S., 34 vjeç, duke drejtuar një motomjet, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, 34-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.”


