Partia Socialiste dhe Edi Rama janë gati edhe për një mandat të tretë. Kështu është shprehur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se do të punojë 24 orë në 7 ditë të javës për të arritur këtë fitore. Ai theksoi se rezultatet në këto 8 vite qeverisje e nxjerrin PS-në forcë të parë, ndërsa shtoi se gara e radhës është me veten, për t’u përmirësuar edhe më shumë.
“Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe unë do të punoj 24/7, që Partia Socialiste dhe Edi Rama të fitojnë mandatin e tyre të tretë. Mandati i tretë do të ishte historik sepse në Shqipëri, në 30 vite pluralizëm, nuk ka ndodhur asnjëherë që një forcë politike të mandatohet tre herë radhazi. Unë besoj se i kemi të gjitha argumentet për të kërkuar një mandat të tretë, jo pse opozita është e shpartalluar, porse në 8 vjet jemi partia numër një, e padiskutueshme, garën e kemi me veten. Por, ca gjëra mund t’i bëjmë shumë më mirë”, tha Veliaj.
Vendimi për të hapur listat është i rëndësishëm tha Veliaj, pasi kështu janë qytetarët ata që vlerësojnë një kandidat për deputet.
“Vendimi më i rëndësishëm është ai i hapjes së listave. Po të shikoni sot, ka shumë njerëz që më thonë: Ore, ç’është kjo frymë e sharjes dhe vulgaritetit? Është mëse normale kur fatin për sukses në listë ta cakton Saliu apo kushdo tjetër; atëherë ti nuk mendon fare për elektoratin, por mendon që elektorati është vetëm ky që të fut në listë: nëse ai është i kënaqur, ti je lart në listë, nëse është i pakënaqur, ti je poshtë në listë. Mbi 80% e njerëzve duan hapjen e listave. Unë besoj se ky është rasti tipik, kur një parti e madhe i shkon pas popullit, dhe nuk e detyron opinionin publik, t’i shkojë pas partisë. Përqafimi i listave të hapura, së pari do e bëjë debatin më civil dhe nuk do kemi këtë garën e televizioneve çdo natë, kush thotë ndyrësitë dhe poshtërsitë më të mëdha për armikun, sepse do mendosh se po të gjykon populli, i cili do të japë edhe renditjen në listë, dhe jo shefi i partisë”, nënvizoi Veliaj.
Deklaratat e Veliajt u bënë në ceremoninë e certifikimit të trajnerëve të rinj, ku kryebashkiaku ishte i ftuar nga Fondacioni “Qemal Stafa”.