SHBA do të japë një tjetër ndihmë për Shqipërinë, këtë herë për ngritjen e Akademisë Amerikano-Shqiptare të Transparencës (USATA).
Ndihma e SHBA do të jetë 5.5 milion dollarë, ndërsa lajmi bëhet me dije nga Ambasada e SHBA-së.
Kjo akademi do të ndihmojë qeverinë të menaxhojë donacionet e marra për rimëkëmbjen nga tërmeti dhe fondet e tjera publike.
Njoftimi i Ambasadës Amerikane:
Shtetet e Bashkuara njoftojnë me kënaqësi një ndihmë tjetër zhvillimi për Shqipërinë, në shumën 5.5 milionë dollarë, për ngritjen e Akademisë Amerikano-Shqiptare të Transparencës (USATA). Kjo Akademi do të rrisë transparencën dhe integritetin e qeverisë dhe të institucioneve publike e private, si dhe do të mbështesë reformën në drejtësi. Akademia do të ndihmojë gjithashtu Qeverinë e Shqipërisë të menaxhojë donacionet e marra për rimëkëmbjen nga tërmeti, si dhe fondet e tjera publike, në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme që do të jetë në dobi të atyre që kanë më shumë nevojë. Kjo ndihmë është pjesë e kontributit mbi 700 milionë dollarë të Shteteve te Bashkuara për Shqipërinë në 20 vitet e fundit.