Sot do të dalin para gjykatës së Durrësit 2 autorët e arrestuar për vrasjen e 4 të rinjve në 2 mars dhe 27 prill për prishjen e pazareve të drogës. Seanca do të zhvillohet në orën 09:00 në masa të forta sigurie, por edhe të parandalimit të përhapjes së COVDI-it.
Mësohet se prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Altin Ndocin dhe 22-vjeçarin me inicialet K.A. nga Durrësi, që ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë. Ata akuzohen për vrasje në bashkëpunim të Besmir e Viktor Haxhisë dhe Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdisë. Tabulatet telefonike, por edhe bashkëpunimi i 22-vjeçarit me policinë zbardhën dy ngjarjet e rënda kriminale që tronditën Durrësin në harkun e 2 muajve, nga e njëjta dorë, në të njëjtin vend, për të njëjtin motiv, droga.
E kaluara e viktimave dhe autorëve nuk ka qenë e panjohur për policinë, pasi kanë qenë kapur dhe dënuar më parë për drogë. 2 nga 4 viktimat kanë qenë të dënuar për trafik narkotikësh, konkretisht Dorjan Shkoza 35 vjeç, që u vra në 2 mars, ka qenë ish i dënuar me 8 vjet burg për drogë dhe Besmir Haxhia që u vra në 27 prill, ishte dënuar në Greqi dhe Francë po për narkotikë.
Gjithashtu edhe njëri nga autorët, pra Altin Ndoci ka qenë i dënuar më parë për drogë. Gjatë operacionit u sekuestruan 3 armë zjarri që u përdorën për vrasjet, municion luftarak, automjeti tip ‘Toyota’ i përdorur për kryerjen e krimit dhe 12 aparate celularë. Armët e zjarrit të përdorura për të kryer krimin ishin fshehur në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga autorët.
Shqiptarja.com


