Gjashtë anëtarë të një familje në Çeligrad të Fierit janë testuar pozitiv për koronavirusin, mes tyre kryefamiljarët e moshuar dhe një fëmijë 10 vjeç.
Vetëm anëtari i shtatë i kësaj familje ka rezultuar negativ. Rastet e reja u konfirmuan dhe nga Ministria e Shëndetësisë.
“Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast” njoftoi Albana Fico.
Po kryhet dezinfektimi i ambienteve të banesës dhe lagjes.
Në 24 orët e fundit në shkallë vendi janë regjistruar 17 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 400.
Ndërkohë janë 23 të shëruar në 24 orë, gjithësej 154.
Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë.
Në shërbimin Infektiv aktualisht janë 52 të shtruar, 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. Nga këta, 5 pacientë janë në terapi intensive, 1 në pavion, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë.


