Kryebashkiaku i Stambollit kërkon kufizim të plotë të qytetit më të madh europian për të parandaluar masakrën që mund të shkaktonte koronavirusi i ri. Rreth 20 mijë qytetarë turq raportohet të jenë infektuar me sëmundjen.
Turqia pritet të izolojë plotësisht qytetin më të madh të vendit dhe të Europës pasi po humbet kontrollin mbi përhapjen e koronavirusit.
Ndërsa rastet pozitive në vend po afrohen në 20 mijë dhe mbi 350 veta kanë ndërruar jetë, kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, u shpreh të enjten i zhgënjyer nga ndërgjegjësimi i ulët i qytetarëve.
Gati 60 për qind e të gjitha rasteve me Covid-19 janë shënuar në qytetin e tij me 16 milionë banorë.
“Nëse 15 për qind e popullit të Stambollit vazhdon të lëvizë, do të thotë se do të kemi në rrugë 2 milionë veta apo sa një qytet i tërë europian, dhe kjo është e frikshme. Lëvizjet e tanishme përbëjnë një kërcënim për pandeminë ndaj na duhen masa më të rrepta,” deklaroi Imamoglu.
Qeveria turke ka ndërprerë fluturimet ndërkombëtare, ka kufizuar udhëtimet e brendshme, ka mbyllur shkollat, baret dhe tubimet fetare apo lojërat sportive, por ende nuk ka pezulluar tërësisht jetën publike për të mbrojtur ekonominë e vendit.
“Nuk na duhen masa shtesë nëse të gjithë qytetarët do të vetëkarantinoheshin. Por mund të na duhet të ashpërsojmë masat nëse pandemia përhapet dhe qytetarët nuk i binden rregullave të qëndrimit në shtëpi, distancimit social dhe higjienës,” u shpreh presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan.
Pas Stambollit, zonat perëndimore të Ankarasë dhe Izmirit janë nga më të prekurat me Covid-19.
Autoritetet vendëse të shëndetësisë thonë se deri tani kanë kryer mbi 100 mijë testime për prani të koronavirusit në popullatë dhe 25 mijë të tilla do të zhvillohen çdo ditë duke nisur nga java tjetër.


