Edhe pse të dhënat e para kanë treguar që Tocilizumab, ilaçi që përdoret për trajtimin e Artrit Reumatoid, ka dhënë rezultat tek pacientët e prekur nga koronavirusi, përdorimi i tij duhet të jetë i kujdesshëm.
Mjeku reumatolog, Ervin Rapushi thotë se përpara aplikimit të çdo preparati biologjik shtrohen dy probleme: së pari, zgjedhja e pacientit, i cili do të futet nën trajtim me mjekim biologjik nisur nga diagnoza, dhe së dyti kontrolli i pacientit përpara fillimit të trajtimit biologjik.
“Përsa i përket pikës së parë është shumë e lehtë për zgjedhjen e pacientit. Pacienti hyn nën trajtim me Tocilizumab kur ai është në kushtet e një pneumonie intersticiale severe. Në lidhje me pikën e dytë, pacienti që fillon një mjekim biologjik duhet të kontrollojmw për infeksione akute apo kronike si, hepatiti B, C, për tuberkulozin, HIV-in, njëkohësisht doza e preparatit biologjik duhet të modifikohet në pacientët të cilët janë me funksion të dëmtuar të veshkave dhe të mëlçisë apo në ata të cilët paraqesin probleme kardiake apo çrregullime të formulës së gjakut. Nisur nga këto dhe nga fakti që infeksioni nga Covid-19 , vetëshkakton dëmtime renale dhe hepatike, aplikimi i Tocilizumabit te këta pacientë është i vështirë”, pohon doktori. Trajtimi i të infektuarve me COVID-19 me këtë medikament ka nisur të aplikohet edhe nga Spitali Infektiv në QSUT. Tocilizumab nuk është një medikament që gjendet lehtësisht në tregun farmaceutik, ai sigurohet vetëm nga farmacitë spitalore. Nga ana tjetër, duhet thënë po ashtu që ka edhe një kosto të konsiderueshme.
Doktor, për gati një javë në Itali për trajtimin e të infektuarve me Koronavirus po aplikohet si trajtim i parë Tocilizumab. Për reumatologët ky medikament nuk është i huaj pasi është aplikuar te pacientët me Artrit Reumatoid. Cilat janë efektet e tij tek personat që vuajnë nga Artriti Reumatoid dhe pse mendoni që ka dhënë rezultat te pacientët me koronavirus?
Tocilizumab është aprovuar nga FDA (Food and Drug Administrations) në vitin 2010 për formën e cila aplikohet intravenoze (hospitaliere) dhe në vitin 2013 për formën sub-kutane(nën lëkurë e cila aplikohet në shtëpi nga vetë pacienti), në trajtimin e formave të moderuara dhe severe të Artritit Reumatoid te pacientët në të cilët terapia me preparatet e tjera modifikues të sëmundjes ka dështuar apo nuk e kanë toleruar mjekimin me këto preparate. Por, Tocilizumab është përdorur edhe në trajtimin e disa patologjive të tjera si CART (sindroma e çlirimit të citokinave e induktuar nga limfocitet T), në sëmundjen intersticiale pulmonare të shkaktuar nga sëmundjet sistemike autoimmune (Sclerodermia Sistemike, Dermato-Polimiozitis, Sarcoidoza etj) apo edhe në fibrozën pulmonare idiopatike etj.
Por fillimisht dua të sqaroi se çfarë është Tocilizumab dhe si ta kuptojmë efektin e tij në trajtimin e këtyre patologjive. Tocilizumab është një trajtim biologjik që nënkupton një antitrup monoklonal human i cili bllokon receptorin e interleukinës-6 (IL-6). IL-6 është një citokin inflamatore e cila luan një rol të rëndësishëm me përgjigjen imune dhe ajo është e implikuar në patogenezën e shumë sëmundjeve qofshin këto autoimune ose jo. IL-6 është një proteinë e cila prodhohet nga shumë qeliza përfshi edhe limfocitet T, monocitet etj. Ajo luan një rol të rëndësishëm në inflamacionin akut si edhe në transformimin e këtij inflamacioni në formën kronike. Përsa i përket asaj që ne i referohemi në dëmtimet e indit pulmonar, është i njohur tashmë dhe aprovuar roli i IL-6 në nxitjen e inflamacionit pulmonar intersticial si edhe efekti i saj në proliferimit fibroblastik alveolar i cili çon në dëmtimin e parenkimës pulmonare në fibrozë të saj.
Duke qenë se Tocilizumab është një antitrup monoklonal i cili frenon receptorin e IL-6, ai bën të mundur që të frenojë gjithë efektet e kësaj citokine në përgjigjen imune, e thënë ndryshe ai ul inflamacionin qoftë në nivel të kyçeve të prekura nga artriti por edhe në nivelin e intersticiumit pulmonar të shkaktuar nga Covid-19, njëkohësisht përdorimi i tij si terapi afatgjatë ul gjasat e zhvillimit të fibrozës pulmonare.


