Ishte paralajmëruar se do të bëhej hataja përpara Parlamentit gjatë ditës së sotme, në momentin që do të diskutohej, debatohej dhe miratohej paketa “Antishpifje” e qeverisë ndaj publikimeve elektronike online. Por ajo që ra menjëherë në sy, ishte se përpara parlamentit u mblodh një numër relativisht shumë i vogël gazetarësh. Edhe për shkak të pranisë në të të Petrit Vasilit (Peço Vasilit, siç e quajti Kryeministri ndërkohe brenda sallës së Kuvendit) u duk sikur ishte një protestë e portaleve të listës së LSI dhe të Ilir Metës.
Protesta u braktis nga qytetarët, të cilët treguan me heshtjen e tyre masive, se e mbështesin paketën kundër shpifjeve pasi në jo pak raste, kanë rënë vetë pre e shpifjeve. Kanë qenë viktima të të pavërtetave monstruoze që i kanë detyruar ta kalojnë edhe natën jashtë pasi i është bërë thirrje që të dilnin urgjent nga shtëpitë se “do i zinte brenda tërmeti i tmerrshëm”. Viktima të mashtrimeve kriminale se do çaheshin bulevardet, digat dhe gjithfarë tmerresh të tjera, vetëm e vetëm për ca klikime më tepër në portalet fantazma, që janë fshehur pas maskave virtuale, si ata që të dalin në mes të rrugës e të grabisin në jetën reale.
Protesta kundër paketës “Antishpifje” u braktiz nga opozita zyrtare, sepse PD vetë e para e kuptoi se me “Babale” dhe me gjithfarë fake news-esh dhe shpifjesh të tjera, as nuk erdhi e as nuk ka për të ardhur kurrë në pushtet. Ajo ndoshta ka kuptuar, se e gjithë kjo llumnajë dhe xhungla e krijuar në hapësirën online, nesër do ta thithte edhe atë brenda saj, nesër në pushtet, duke u bërë viktima numër një e pjellës që po ushqen sot.
Protesta kundër paktës “Antishpifje” u braktis sot edhe nga vetë komuniteti i medias. Nuk u panë aty as gazetarët më me emër, as analistët, as moderatorët e televizioneve dhe as drejtuesit e disa shoqatave të medias. Madje as flamurtarët e betejës kundër ndryshimeve ligjore që synojnë vendosjen e rregullave të lojës. As ata që vunë kujën për vetrregullimin që nuk erdhi këto 30 vjet e as ka për të ardhur, sa të jenë ata violinat e kësaj loje të ndyrë për përfitime vetëm personale, në kurriz të të vërtetës, profesionalizmit dhe standardeve ndërkombëtare të së drejtës për informim. Edhe drejtuesit e disa OJQ-ve që u panë të shkonin të pispillosur për ca minuta, ishin aty sa për të dalë në televizor.
Artur Zheji një nga flamurtarët kundër Paketës “Antishpifje”, tha i dëshpëruar se “protesta është mjaft simbolike, për të mos thënë mjaft e vogël. Më vjen keq që nuk ka një përgjigje të përshtatshme. Ndoshta një pjesë e gazetarëve tanë kanë shfrytëzuar këtë mëngjes për të bërë ndonjë masazh apo palestër.”
Zheji ka shumë të drejtë që është i zhgënjyer prej kolegëve të vet, sidomos ndaj oligarkisë së mediave që shkojnë në masazhe apo palestra, sepse vartësit e tyre e mbajnë trupin në formë, duke vrapuar që të bëjnë punën në terren! Ata e kanë braktisur atë, sepse e kanë ditur gjithmonë, se kauza e protestës është “fake”.
E bashkë me këtë kauzë “fake”, i erdhi fundi edhe epokës së “fake news”-eve të kthyera në sistem për qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me shenjtërinë e fjalës së lirë, me lirinë e shprehjes, me të vërtetën, me profesionalizmin dhe me të drejtat e njeriut.
Alpenews.al


