Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në konferencën e përbashket për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me homologun amerikan Donald Trump, tha se Turqia është e “lënduar thellë” nga rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan që njeh vrasjet masive të armenëve një shekull më parë nga turqit osmanë si gjenocid dhe se “Rezoluta mund të hedhë hije të thella mbi marrëdhëniet dypalëshe”.
Presidenti Erdogan tha se vendimmarrësit për një ngjarje 104 vjet më parë duhet të jenë historianët, jo politikanët.
Ndërkohë dhjetra kurdë dhe përkrahës të tyre jashtë shtëpisë ovale valvisnin flamuj kurdë dhe amerikanë për të protestuar ndaj Erdogan dhe ofensivës turke në Sirinë veriore.
Presidenti Donald Trump tha në konferencë se blerja e sistemit të mbrojtjes ajrore ruse nga Turqia krijon ”sfida serioze”, por shtoi se shpreson që ato të zgjidhen.
Turqia, anëtare e NATO-s, e zemëroi SHBA-në kur bleu sistemin rus S-400. Uashingtoni thotë se sistemi në fjalë paraqet një kërcënim për aeroplanët e NATO-s dhe të SHBA. Administrata Trump u përgjigj duke e larguar Turqinë nga programi për prodhimin e avionit luftarak F-35.
Presidenti Trump tha të mërkurën se ai kishte biseduar për këtë çështje me presidentin e Erdogan dhe i ka kërkuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltarëve të tjerë që të përpiqen për ta zgjidhur problemin.
Ndërkaq, në një takim që patën me Presidentin Trump dhe zotin Erdogan të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, pesë senatorë republikanë i bënë presion presidentit të Turqisë për të ditur arsyen se pse Turqia bleu sistemin rus, megjithëse është anëtare e NATO-s.
Senatorët gjithashtu shprehen shqetësim për forcat kurde të mbështetura nga SHBA që janë vënë në shënjestër nga Turqia.
Presidenti Erdogan i sheh forcat kurde në Siri si zgjatim të grupit separatist kurd që lufton brenda Turqisë që nga vitet ’80.