Vlora u zgjua mëngjesin e djeshëm me një tjetër lajm të keq. Një person ishte gjetur i pajetë në rrugë.
Policia nxitoi të deklaronte se ishte një vdekje natyrale.Por u desh vetëm pak që të mësohej se bëhej fjalë për një ekzekutim.
Viktima quhej Kreshnik Dashaj dhe ishte qëlluar me një plumb në pjesën e shpatullës.
Trupi i 37-vjeçarit u gjet pranë banesës së tij. Përveçse është qëlluar me armë zjarri, dyshohet se Dashaj është dhunuar me sende të forta.
Ngjarja ishte tronditëse për shkak se 37-vjeçari, baba i një vajze të vogël, njihej si njeri pa probleme. Ai punonte 16 orë në ditë në një fabrikë këpucësh për të mbajtur familjen. Madje ai po kthehej nga puna në mesnatë.
Fqinjët thonë se kanë mbetur të habitur kur kanë mësuar për lajmin pasi thonë se ai ishte një njeri familjar dhe asnjëherë problematik.
Policia është duke punuar në disa pista për të zbardhur motivin e vrasjes së tij. Hetuesit po kërkojnë prova nëse 37- vjeçari është përfshirë në ndonjë konflikt gjatë kohëve të fundit, ndërsa një tjetër pistë është ajo e ndonjë tentative për grabitje, e cila ka shkuar keq.