Prokuroria e kryeqytetit ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 7 nga 8 të arrestuarit për falsifikimin e biletave të urbanëve, që u zbulua pak ditë më parë duke sjellë prangosjet.
Organi i akuzës kërkoi burg për Ferdinand Ibrahimin, që është administrator i linjës së unazës e pronar i ‘Ferlutit’, për djalin e tij Anastas Ibrahimi, Fatos Vrapin, Erisa Vorën, Klodiana Qaton, Aldi Dukën dhe Lulzim Allarajn, ndërsa për Albana Vrapin u kërkua detyrim paraqitje.
Ndërkohë që pritet vendimi i gjykatës, biznesmeni Ferdinand Ibrahimi ka folur duke mohuar dijeninë për biletat e falsifikuara. Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se biznesmeni është shprehur se biletat që janë gjetur kanë qenë të vjetra dhe nuk ishin në përdorim.
“Nuk kam dijeni për biletat e falsifikuara. Biletat e gjetura në makinë kanë qenë të vjetra e që nuk ishin në përdorim” mësohet se është shprehur ai. Por përgjimet që Shqiptarja.com publikoi sot e nxjerrin blof, pasi ai është kapur në bisedat telefonike duke i kërkuar djalit të tij që ti digjte dokumentet. Biseda shërbeu si indicie kryesore për të rënë në gjurmët e stokut me 105 mijë biletave të falsifikuara.
Kjo bisedë është bërë pikërisht në momentin kur policia kishte rrethuar shtëpinë e Ferdinand Ibrahimit, duke i kërkuar këtij të fundit të shkonte me ta në polici. Por biseda është përgjuar dhe më pas policia ka ndaluar djalin e Ferdinandit, Anastasin, duke i kapur në makinën luksoze një valixhe blu të mbushur plot me bileta false, ndërsa aktiviteti kriminal llogaritet që i ka shkaktuar një dëm shtetit prej 1 mld lekësh.


