Rrahman Lumi , djali i madh i një familjeje emigrantësh nga Luznia e Dibrës, tashmë me banim në Nea Mudania, zona turistike e Halkidhikisë, shpjegon se rezultatet e shkëlqyer që arriti janë fryt i një pune shumëvjeçare studimi nga ana e tij.
Suksesi i të riut shqiptar ka bërë bujë në median greke. Krenar për arritjen e Rrahmanit është edhe vëllai i tij më i vogël ,ndërsa babai i tij çon një mesazh të veçantë.
“Jam shumë i gëzuar për vëllain tim”, u shpreh i vëllai Emiliano Lumi. “Dua t’i them një diçka shtetit shqiptar që të merren edhe pak me emigrantët kudo që ndodhen”, deklaroi babai Haki Lumi.
“Jo vetëm në Greqi, por në çdo shtet. Se emigrantët shqiptar janë kudo nëpër botë nuk duhet të mendojnë asnjëherë se janë në shtet të huaj. Çdo shtet jep mundësitë e veta në çdo fëmijë. Çdo kush duhet të mundohet për më të mirën”, tha ndër të tjera Rrahman Lumi.
Për Rrahamanin që është nga maturantët e rrallë në vite që kanë marrë në provimet e maturës notën më të lartë, 20, në matematikë dhe fizikë, ëndrrat vazhdojnë .
“Ëndrra ime për të ardhmen është inxhinier ndërtimi me punë këtu,Shqipëri dhe në botë”, tha Rrahman Lumi.
Kërkon të kthehesh në Shqipëri një ditë?
“Më pëlqen Shqipëria, por si shoqni si diçka jam këtu. E kam qejf si Shqipëri shumë. Kam njerëzit e mi sado ndihem më mirë kur rri atje”, përfundoi Rrahman Lumi , djali i madh i një familjeje emigrantësh nga Luznia e Dibrës.
E veçanta e këtij djali të thjeshtë që tashmë kërkon një shtëpi në Selanik për të filluar jetën studentore është se flet më shumë respekt për shokët dhe mësuesit e tij që e ndihmuan të arrijë thuajse të pakapshmen në provime.


