Gjykata e Tiranës vendosi masë arrest me burg për Ilir Bendon, drejtues teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”, ku tre ditë më parë humbën jetën dy punëtorë nga rrëzimi i skelës në një pallat 13 katësh në Tiranë.
Gjykata vendosi të japë masë të sigurimit personal ‘arrest shtëpie’ për Xhimi Tarushi, të arrestuarin e dytë për këtë ngjarje, me detyrë drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi”, që kishin marrë përsipër rregullimin e fasadës së pallatit në rrugën “Faik Konica” në Tiranë.
Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton atë se cfarë Bendo ka deklaruar para trupës gjyqësore. “Nuk e kam në kontratë të merrem me ndjekjen e çmontimit të skelave. Kam detyrë të kontrolloj montimin. Kam instruktuar punëtorët, nuk kam shkelur asnjë ligj”, mësohet të jetë shprehur Bendo.
Gjyqtari Sokol Tona ju drejtua me një pyetje Ilir Bendos: Ti si inxhinier ke përgjegjësi të ndjekësh montimin, po çmontimin kush e ka?
Ilir Bendo: Nuk di ta them por unë në kontratën e punës nuk e kam.
Punëtorët ndërruan jetë pikërisht në momentin kur puna në pallat kishte mbaruar edhe skelat ishin duke u çmontuar. Skela u shemb e gjitha nga lartësia duke i zënë poshtë dhe duke i lënë të pajetë.
Avokatët e Tarushit dhe të Bendos u shprehën: Ndjejmë keqardhje për jetët e humbura por punëtorët kanë qenë të siguruar dhe instruktuar për rregullt teknike. Firmat kanë kontrata të rregullta. Skelat kanë qëndruar të montuara për mbi 30 ditë, po të ishin jashtë kushteve do të kishin rënë me kohë.
Viktimat e ngjarjes së rëndë ndodhur rreth orës 15:00 janë 31-vjeçari Ergys Brahimaj dhe Orjan Kodra, 36 vjeç. Ata u nxorën të pajetë rreth 2 orë pas ngjarjes, teksa ndodheshin në rrënojat e skelës e cila u shemb nga lartësia duke i zënë poshtë.


