Tri aksidente në një hark të shkurtër kohor, shtatë të plagosur. Tri aksidente janë regjistruar në pak orë në juglindje të vendit, ndërsa janë plagosur 7 persona, mes të cilëve dy në gjendje të rëndë.
Njëri prej aksidenteve është shënuar përgjatë aksit nacional Korçë-Bilisht, ndërsa dy aksidentet e tjerë në aksin KorçëPogradec. Aksidenti i parë është shënuar në aksin rrugor Korçë-Devoll, pranë fshatit Bitinckë, ku ka dalë nga rruga mjeti tip “Citroen”. Për pasojë është dëmtuar drejtuesja e mjetit Iris Rezhda, me profesion gazetare, dhe dy pasagjere në mjet, shtetaset D.H., dhe R.H., të cilat u dërguan për mjekim në Spitalin e Bilishtit, jashtë rrezikut për jetën.
Tri vajzat udhëtonin nga Bilishti në drejtim të Korçës kur automjeti ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanalin anësor. Pasi u transportuan në spital ku morën mjekimin e nevojshëm, ato u larguan për në banesat e tyre. Por, pak më vonë, edhe dy aksidente të tjera u shënuan në aksin rrugor Korçë–Pogradec.
Aksidenti i parë ka ndodhur vetëm pak minuta më vonë nga ai i Devollit, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Velitërnë, ku si pasojë e përplasjes së një mjeti mikrobus udhëtarësh tip “Benz” me drejtues shtetasit F.Z. dhe mjeti tip “Opel” me drejtues shtetasin Sh.D. Për pasojë kanë mbetur të plagosur lehtë dy drejtuesit e mjeteve, ndërsa me plagë të shumta nga aksidenti ka mbetur shtetasja V.D., pasagjere në mjetin tip “Opel”, e cila është dërguar për mjekim në Spitalin e Korçës.
Aksidenti i dytë ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Rëmenjit”, ku janë përplasur mjeti tip “Skoda”, me drejtues shtetasin A.Zh., me një ciklomotor, me drejtues shtetasin Sh.S., rreth 35 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec. Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur i plagosur rëndë 35- vjeçari, drejtuesi i ciklomotorit, i cili ndodhet në Spitalin e Pogradecit nën kujdesin intensiv të mjekëve.



