Një operacion i koduar “Transferta” ka sekuestruar rreth 1 milionë euro pasuri, që një 40-vjeçare nga Pogradeci në bashkëjetesë me një shtetas italian, i kishte kaluar në emër të nënës së saj pensioniste në qytetin e Pogradecit dhe Tiranës. Pasuritë mbi të cilat është vendosur sekuestro preventive pas 7 muajsh hetime, dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i 40-vjeçares Almanda Durollari dhe bashkëjetuesi i saj italian, Francesco Cocilovo, 42 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. Pronat, kryesisht apartamente banimi, u sekuestruan me vendim të Gjykatës së Pogradecit, më 5 gusht 2019.
Almanda Durollari bashkëjeton me italianin Francesco Cocilovo dhe banojnë në Itali. Për të fshehur dhe justifikuar këto prona të blera në Shqipëri, i kanë regjistruar në emër të pensionistes Vergjinush Durollari, 76 vjeç nëna e 40-vjeçares, e cila banon në Pogradec.
Almanda dhe Francesco janë hetuar nga autoritet gjyqësore italiane në Como, për akuzën e mashtrimit me TVSH, falsifikimit dhe shitjes së produkteve me shenja false, duke përfituar në formën e rimbulsimit nga ministria e Financave Italiane, një shumë prej mbi 2.388.611 Euro. Por mbi 700 mijë euro çifti i bashkëjetuesve i ka sjellë në Shqipëri, duke i transferuar në llogaritë bankare të 76 vjeçares Vergjinush Durollari.
AlpeNews.al ju njeh me foton e çiftit në fjalë:
U sekuestruan pasuri me vlerë 1 milionë euro:
– 2 apartamente banimi në Pogradec, me sipërfaqe 175 m2
– 4 apartamente banimi në Tiranë, me sipërfaqe 420 m2
– 1 njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe 106.5 m2