Policia italiane ka finalizuar operacionin e koduar ‘Snowfall’ orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në kuadër të këtij operacioni është shkatërruar një grup trafikantësh shqiptarë.
Në bashkëpunim me shtetas italianë ata trafikonin drogë të tipit kokainë, heroinë e hashash në territorin e provincës së Bergamos.
Hetimet e operacionit kanë zbardhur se me trafikantët shqiptarë vepronte dhe një grup trafikantësh nga Afrika e Veriut, kryesisht marokenë që furnizonin me drogë konsumatorë të etnive të ndryshme.
Gjatë operacionit janë sekuestruar disa armë zjarri.
Të arrestuarit akuzohen për trafik droge të tipeve të ndryshme e armëmbajtje ilegale armësh zjarri.


