Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të dy kandidatët për presidentë Stevo Pendarovski, i mbështetur nga partitë e koalicionit qeveritar dhe Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga opozita maqedonase u kanë bërë thirrje qytetarëve për dalje më të madhe në votime. Pendarovski dhe Siljanovska u përpoqën në prag të ditës së sotme të votimit, që të bëjnë për vete votuesit e Blerim Rekës, i cili kishte rreth 80 mijë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, vëmendja është drejtuar te dy partitë shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit.
Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët mbeten në qëndrimin e dhënë se nuk do të bëjnë tregti me votat e qytetarëve, të cilët në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale mbështetën konceptin e partive opozitare për kandidatë shqiptarë.


