Policia e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë ka shkatërruar një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni i koduar “Petruna” i nisur tre ditë më parë u finalizua mesditën e sotme, në sajë të cilit u sekuestruan në gjirin e Petrunës.
328 kg kanabis si dhe dy mjete lundruese “gomone”.
Në pranga kanë përfunduar 10 persona, organizatorë dhe anëtarë të grupit. Dy prej të cilëve u arrestuan në kushtet e flagrancës.
Të arrestuarit janë
E. Ç., 35 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit
S. D., 45 vjeç, banues në Vlorë, në rolin e organizatorit
A. Gj., 22 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit.
Xh. H., 26 vjeç, banues në Orikum Vlorë, anëtar i grupit kriminal
G. K., 27 vjeç, banues në Dukat Vlorë,anëtar i grupit kriminal
N. S, 45 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal
O. P., 29 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal
E. M., 40 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal.
H.B, 51 vjeç, banues në Dukat Vlorë, antar i grupit kriminal
A.B., 19 vjeç, anëtar i grupit kriminal
Si tentuan të mashtronin policinë
Operacioni nga policia nisi tre ditë më parë me kërkimin dhe gjetjen e dy mjeteve lundruese, që dyshohej se këta shtetas do t’i përdornin për të trafikuar lëndën narkotike drejt Italisë.
Organizatorët e këtij grupi kriminal, për t’iu shmangur policisë kishin parkuar në vendbazimin e gomoneve, mjete të tjera lundruese të prishura, ndërsa dy mjetet e rregullta u gjetën nga Policia, njëra në gjirin e Shën Janit dhe tjera në Dukat të Vlorës.
Më pas është bërë krehja e një zone të gjerë në Karaburun, ku në gjirin e Petrunës, forcat policore bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike të fshehur, me peshë totale 328 kg, si dhe arrestimin në flagrancë të shtetasëve O.P dhe E.M, të cilët po ruanin lëndën narkotike.
80 policë u angazhuan në operacion
Në operacionin policor u përfshirë rreth 80 forca policore, Prokurorë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, mjete lundrimi të Delta-Forcës, Policisë Kufitare si dhe mjete të Policisë të DVP-Vlorë.
Nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, vazhdon puna për dokumentim më të plote të aktivitetit kriminal të kryer nga ky grup i strukturuar kriminal, si dhe për kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Hetimet për grupin nisën një vit më parë
Operacioni “Petruna” u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr.156 të vitit 2018, të drejtuar nga Prokurorët e Prokurorisë për Krime të Rënda, Anton Martini dhe Manjola Kajana, procedim i rregjistruar për veprën penale të “Trafikimi i lëndëve narkotike”, ku në funksion të këtij procedimi më datë 29.08.2018 në bashkëpunim me autoritetet italiane, janë sekuestruar në brigjet e Italisë 700 kg kanabis, 1 gomone e cila shërbeu për trafikimin e lëndës si dhe janë arrestuar shtetasit A.R dhe D.K.


