Pak ditë pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi në Ballsh, ku burri vrau me thikë gruan dhe kunatën e tij, vëllai i viktimave ka depozituar një kërkesë në gjykatë. Krimi makabër ndodhi më 2 janar, ndërsa viktimë ngelën Gentiana dhe Merisa Caushaj. Mësohet se vëllai i Gentiana Caushaj, Gjyshmir Caushaj ka kërkuar kujdestarinë e dy fëmijëve të mitur të motrës së tij.
Viktima dhe autori
Këta të fundit aktualisht ndodhen në fshatin SOS, pasi u dërguan aty për një trajtim më të specializuar për shkak të traumës kur panë se si babai i tyre i vrau nënën para syve dhe tezën.
Sot, prindërit e Gazemend Mustës, i cili vrau gruan dhe kunatën pas një sherri në qytetin e Bllashit, i janë drejtuar gjykatës së Fierit me kërkesën për të marrë kujdestarinë e fëmijëve.
Bedri e Lumturi Musta kanë besim tek gjykata, ndërsa babai i Gazmendit është shprehur se i plotëson të gjitha kërkesat ligjore për të përfituar kujdestarinë e tyre.
“I plotësoj kriteret ligjore për të përfituar kujdestarinë e fëmijëve. Kam besim tek gjykata se do te marr vendimin e duhur”, është shprehur ai.
NGJARJA
Debati ka nisur gjate drekës së 2 janarit ku e ftuar ishte edhe 18-vjeçarja Merisa Caushaj. Gentiana ka kërkuar që të shkojë për vizitë tek prindërit të cilët jetonin në fshatin Drizar, por këtu ka ndeshur në kundërshtimin e bashkëshortit të saj. Pas debateve me bashkëshortin ajo është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gamozin i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste ai se çfarë do të bëhej. Fill pas sherrit, ai ka rrëmbyer thikën dhe ka goditur bashkëshotren, ndërsa motra e saj ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por edhe ajo ka rënë pre e sulmit.
Prej disa kohesh çifti jetonte në një banesë me qira në lagjen “5 Shkurti” në Ballsh. 34-vjeçari ishte emigrant në Greqi dhe ishte kthyer për festat e fundvitit.
Një rast i ngjashëm është edhe ai i ish gjyqtares së Shkodrës, Fildez Hafizi që u vra nga bashkëshorti i saj. Motra kërkoi kujdestarinë e fëmijëve, por i ati i tyre refuzoi.
Motra e Fildesit kërkon kujdestarinë e fëmijëve, babai refuzon
Motra e gjyqtares së vrarë Fildes Hafizi, Amelia, ka kërkuar të marrë kujdestarinë e dy fëmijëve të gjyqtares. Kërkesa e Amelia Hafizi Asllanajt është paraqitur zyrtarisht në Gjykatën Civile të Tiranës, ndërsa për t’u njohur me kërkesën është thirrur edhe babai i fëmijëve Fadil Kasemi.
Ai e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke thënë se fëmijët nuk kanë pse të shkojnë te tezja kur mund të rrinë me të afërmit e tij. Kasemi u dënua me burgim të perjetshem disa ditë më parë.
/AlpeNews.al




