Pas dështimit të opozitës për të manipuluar protestën e studentëve të vërtetë në dhjetor 2018, janari 2019 ka sjellë çoroditjen e saj. Një çoroditje që po e bën jo vetëm PD dhe LSI, jo vetëm Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, por të gjithë opozitën e bashkuar, që të shfaqet gjithmonë e më keq përballë shqiptarëve. Sepse, ajo po prezantohet si një opozitë pa strategji, e përçarë, e dobët dhe pa vizion përballë qeverisë dhe Kreministrit Edi Rama.
Mjafton që për këtë ti referohemi dy qëndrimeve të ndryshme të kryetarëve të dy partive kryesore të opozitës, në lidhje me artikulimin e tyre për vijimin të tyre politik përgjatë këtij viti.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Lulzim Basha tha se për opozitën zgjidhja do të ishte një qeveri kalimtare për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Ky është viti i betejës për kthimin e legjitimitetit të munguar parlamentit dhe të qeverisjes së vendit, përmes zgjedhjeve të ndershme, si ushtrim i demokracisë dhe zgjidhja e vetme politike për demokracinë dhe shtetin ligjor. Ky është një vit ku duhet të ndeshemi me domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si një nga shtyllat kryesore të sistemit tonë politik”,– tha Basha.
Ndërkohë që Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me strukturat e partisë së saj në Skrapar, tha se “ka një datë të dekretuar për zgjedhjet lokale, por ajo datë nuk do të jetë vetëm për zgjedhjet lokale, do jetë edhe për zgjedhje të përgjithshme, pasi shqiptarët nuk mund të qeverisen nga një qeveri e korruptuar”.
Pas kësaj opozitarët e vërtetë mund të thonë se edhe Basha edhe Kryemadhi e kanë mirë, por kujt prej këtyre dy varianteve të ndryshme ti besojmë?! Duke krijuar në këtë mënyrë për ta, një çoroditje të madhe. Çka do të thotë se opozita jonë, është ende e paqartë dhe konfuze në strategjinë e saj politike për 2019. Një konfuzion që reflektohet jo vetëm në deklaratat dhe qëndrimet e saj të paunifikuara, por edhe poshtë tek njerëzit në bazë të cilët nuk po arrijnë që të kuptojnë nëse PD, LSI dhe aletatë e tyre do të rrëzojnë Edi Ramën, do bëjnë protesta, do ketë qeveri kalimtare, të përgatiten dhe të punojnë apo jo për fushatën e zgjedhjeve lokale, apo të presin se mbase bashkë me to do të bëhen edhe zgjedhjet e përgjithshme.
Kjo çoroditje e opozitës, duket se po e bën më komode punën e mazhorancës dhe qeverisë së saj, e cila pas protestave të studentëve dhe ndryshimeve të mëdha që pësoi në përbërjen e ministrave, ka nisur punën dhe po shfaqet e riorganizuar dhe e motivuar për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
Përgatiti: Alpenews.al