Të paktën në një gjë të vetme, ky 8 dhjetor nuk na ka zhgënjer aspak, pothuajse si çdotjetër nga 8 dhjetorët e këtyre 27 viteve. Nuk na surprizuan me aktivitetet kushtuar kësaj dite, që zhvilloi secili prej liderëve kryesorë politikë në Shqipëri. Një garë në heshtje, krejt secili më vete e për hesap të vet, për të treguar se ai ka qenë dhe është sot e kësaj dite, i vetmi bartës i vërtetë i idealeve të dhjetorit.
Sali Berisha, megjithëse nuk ishte atje natën e 8 dhjetorit 1990, e ka “privatizuar” simbolikën e asaj që konsiderohet një prej ditëve më të rëndësishme të historisë sonë të re. Ndaj, nuk kishte si të mungonte, për të qenë i pranishëm në një aktivitet të të rinjve të FRPD. Ishte elektrizant teksa bëri thirrjen e përditshme falna Zot, për ta rrëzuar këtë qeveri e për ta hedhur në Lanë, përpara se të ulemi për të konsumuar gjelin e detit të Vitit të Ri. Lulzim Basha buzëqeshte përballë dhe mendimet dukej sikur i kullosnin nëpër ca lëndina kënaqësie, duke e parë veten në ëndrrën kryeministrore.
Edi Rama e përkujtoi këtë ditë në Shkodër, atje ku 27 vjet më parë e majta ishte gjëja më e urryer. Përpara kësaj drejtoi edhe mbledhjen e qeverisë dhe i tha të rinjve disa gjëra që asnjë Kryeministër tjetër nuk ka dashur që t’ua thotë në sy. U tha të mos e presin shtruar me tapet jetën që i pret, ta ndërtojnë këtu të ardhmen me shumë punë dhe jo me ëndrrën e vetme për të punuar në shtet. Ilir Meta, student atë kohë, shumë i angazhuar madje në lëvizjen studentore, sot President si Ramiz Alia kur ai i shkoi me studentë e pedagogë për ti kërkuar pluralizëm. E organizoi edhe ai 8 dhjetorin e vet, atje ku edhe nisi historia e tij politike, në Pallatin e Brigadave. Erion Veliaj nuk kishte si të mungonte për ta bërë gjithashtu, edhe ai të vetën.
Thanë shumë gjëra liderët tanë edhe këtë radhë, por asnjëri prej tyre nuk tha se përse Shqipëria nuk është bërë ende si gjithë Europa. Askush prej tyre nuk kërkoi falje për këtë. Askush nuk u turpërua, pendua apo larg qoftë të dilte e të na thonte: Të dashur shqiptarë, më falni. Nuk ju kam gënjyer, por ju kam zhgënjyer. Kaq dita, kaq munda. Ndaj, po tërhiqem! Të gjithë e dimë se kjo është e vetmja gjë që nuk ndodh. Sepse ata e dinë pëmendësh tashmë se çduhet të na thonë çdo 8 dhjetor.
Në 8 dhjetorin e 1991 na thanë se pas një viti nga pluralizmi, regjimi është ende i fortë e se komunistët vërtetë nuk u dorëzokan edhe aq kollaj, ndaj prisni.
Në 8 dhjetorin e 1992, nga thanë se vërtetë i rrëzuam më 22 mars, por prisni sa të mbushet çeku i bardhë dhe tapeti i kuq për të hyrë triumfalisht në Bruksel, është gati e i shtruar për ne.
Në 8 dhjetorin e 1993, na thanë se fajin e ka lideri i opozitës ndaj e arrestuam Fatos Nanon dhe tani gjërat janë më të thjeshta. Prisni sa ta bëjmë edhe Kushtetutën ashtu siç duam.
Në 8 dhjetorin e 1994 na thanë që rrëzimi i Kushtetutës në referendumin e një muaji më parë, tregoi se as ish komunistët nuk u dorëzokan kollaj.
Në 8 dhjetorin e 1995 na thanë sa të marim edhe një mandat të dytë e do ju fusim në Europë, se nuk kishim përvojë por tani kemi mësuar shumë.
Në 8 dhjetorin e 1996 na thanë se tani që zbuluam formulën e rritjes së lekëve nëpër pemët e firmave piramidale, punë kohe është që të mbërrijmë në parajsë. Atje është më mirë se në Europë. Sigurisht!
Në 8 dhjetorin e 1997 na thanë se pasi shqiptarëve u vodhën të gjitha kursimet, na falni se u dogj pak Shqipëria, ra shteti, u hapën depot e armëve dhe u vranë 3 000 bijë nënash. Prisni sa të mbyllen plagët.
Në 8 dhjetorin e 1998 na thanë se ja sa të harrohet pak sulmi i 14 shtatorit mbi institucionet, pas vrasjes së liderit të 8 dhjetorit 1990 Azem Hajdari dhe do e rregullojmë shpejt këtë punën e Europës.
Në 8 dhjetorin e 1999 na thanë se tani që kishim luftën në Kosovë dhe me ndihmën e NATO e çliruam nga Serbia, ishim të zënë. Kjo ka qenë ndoshta edhe ndjesa më e ëmbël që na kanë bërë.
Në 8 dhjetorin e 2000 na thanë prisni sa të rregullohen pak punët e Kosovës, se është ende foshnje e sapolindur dhe ka shumë nevojë për përkujdesjen e tokës amë.
Në 8 dhjetorin e 2001 na thanë se tani që socialistët morën mandatin e dytë qeverisës, do të kemi më shumë mundësi për reformat ë vërteta europianziuese.
Në 8 dhjetorin e 2002 na thanë na falni se PS ashtu i kishte ca problem të vetat të brendshme dhe tani që kryetari bëhet Kryeministër përsëri, gjërat janë më ndryshe.
Në 8 dhjetorin e 2003 na thanë e çfarë nuk na thanë. Po ashtu në 2004, e më pas në 2005 Sali Berisha që u rrëzua me plumba në 1997 u rikthye me votë dhe e nisi me vrullin e nusërimit të dytë. 2006 iku si iku. Në 2007 ëndrrat u rindezën më të forta se kurrë. Në Shqipëri erdhi për herë të parë një President Amerikan. Xhorxh W. Bush tha se për pavarësinë e Kosovës: ”Time is now!” U tha, u bë në 2008. Në 2009, ishim të zënë me zgjedhjet se Berishës i duhej një mandat i dytë. I rrezikohej për vetëm 1-2 vota. Por aty ishte Ilir Meta me katër votat e arta të LSI dhe ky hendek, o burra u kalua shpejt.
Në 8 dhjetorin e 2009 kryetari i të parës parti antikomuniste, kishte me se të mburrej. Shqipëria ishte bërë vend anëtar i NATO atë vit: “This is a miracle of freedom”,- apo jo. Në 8 dhjetorin e një viti më pas, në 2010, kishte akoma edhe më shumë për të festuar. Pas një jave nga kjo ditë, shqiptarët filluan për herë të parë në histori, të lëviznin lirshëm e pa viza në hapësirën Shengen. Bukuri. Ç’farë donim ne më shumë nga jeta. Ndaj në 8 dhjetorët e 2011 dhe 2012, NATO e vizat e mbanin ende të ngrohtë ëndrrëm europiane dhe qeveria kishte kohë të mendonte për 2013. E donte edhe një mandat të tretë.
Në 8 dhjetorin e atij viti PS sapo ishte rikthyer në pushtet. Ishte koha për ta rilindur jo vetëm Shqipërinë, por edhe ëndrrën e saj europiane. Në 8 dhjetorin e 2014 sapo kishin filluar reformat e para; Lazarati, lojrat e fatit, pagesa e faturave të energjisë elektrike, policia e shtetit, arsimi i lartë, etj. Pa reforma nuk ka Europë, apo jo. Ndaj erdhi 2015 e kështu edhe 2016. Edhe ato përfunduan, sidomos më kryesorja: Kryereforma në Drejtësi. Socialistët morën një mandat të dytë në 25 qershor dhe ja ku jemi përsëri në 8 dhjetorin e 27 viteve më pas, në 2017.
Në Bruksel, na thane këtë javë se në pranverë do kemi një datë për hapjen e negociatave me BE për anëtarësim. Nëse kemi fat, në 2025 mund te jemi më në fund, pas 35 vjetësh vend anëtar i BE. Atë ditë, 35 vjeçarët e 1990 do të jenë 70 vjeçarë. Pritën, por do të fitojnë ama. Nëse do të jenë gjallë. Sigurisht!