Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka përshëndetur votimin e gjyqtarëve shqiptarë që zgjodhën mes tyre 6 anëtarët që do t’i përfaqësojnë në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, institucion që bashkë me KLP-në shtrojnë rrugën e zbatimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi. Duke e cilësuar ngritjen e këtyre institucioneve si një ngjarje të shënuar në historinë e drejtësisë shqiptare, Gjonaj theksoi se pikërisht KLP dhe KLGJ do jenë kolonat e një sistemi drejtësie të pavarur dhe profesional.
“Krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit është një ngjarje e shënuar në historinë e drejtësisë shqiptare. Ngritja e këtyre institucioneve është një hap kyç për zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, e cila do të rikthejë vlerat dhe parimet mbi të cilat duhet të bazohet një sistem drejtësie i pavarur: Integritetin, profesionalizmin, meritokracinë dhe përgjegjshmërinë, duke jetësuar një sistem drejtësie vetëm në shërbim të qytetarëve. Përgëzime për prokurorët dhe gjyqtarët që morën pjesë në këtë proces tërësisht ligjor dhe transparent, përmes të cilit u zgjodhën dy këshilla cilësorë, që do të jenë kolonat e një sistemi drejtësie të pavarur dhe profesional”.
Ministrja e Drejtësisë apelon që të mos humbet kohë por të vijohet edhe me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës së posaçme për të hetuar dhe gjykuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Një falenderim i veçantë shkon për partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, që kanë ndjekur dhe mbështetur me shumë përkushtim procesin e ngritjes së këshillave, ashtu sikurse edhe të gjitha hapat e bërë deri tani në drejtim të projektimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi. Qeveria Shqiptare ri shpreh vullnetin e saj se do të vijojë të mbështesë zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Miratimi nga Këshilli i Ministrave sot i vendimit për vënien në dispozicion të ambienteve të reja të punës për institucionet e reja është një hap tjetër i konkretizimit të këtij vullneti”, thekson Gjonaj.


