Emri i Rita Petros ka filluar të lakohet përëri, në të gjitha llojet e mediave dhe fjalorëve të mundshëm në qarkullim. Ndryshe nga sa më parë, këtë radhë për një poezi të re, e sigurisht për një “mëkat” të ri. Por ajo duket se di si ta përballojë tashmë, të gjithën këtë. Lëkura “i është regjur” dhe shqisat i janë mprehur deri në atë masë sa ka qetësinë Olimpike për tiu përgjigur të gjithëve, me një intervistë elegante tek “Alpenews.al”.
“E gjithë kjo që po ndodh e vendos poezinë në gjyqin e masave. Kështu janë dënuar poetët e shkrimtarët në kohën e diktaturës te ne me gjyqin dhe histerizmin e turmave”,- thotë ajo.
Eshtë zhurma pas publikimit të poezisë “Mallkimi i parë”, ku shprehet dëshira e “fshehur” për inçest dhe dëshira seksuale e ndezur e një motre për vëllain. Kaq mjafton për ta akuzuar një poete për gjithçka, e deri për “terrorizëm seksual”.
“Fjalët e atyre që më sulmojnë më bëjnë nder dhe janë një arkiv i pasur për biografinë time si poete”,- thotë Rita Petro.
A mund të na e shpjegoni mesazhin tuaj artistik që është dhënë nëpërmjet poezisë së “incestit motër e vëlla”?
Poezia ime e shpjegon krijimin e njerëzimit apo më troç shumimin e tij përmes figurave simbolike; çftit simbolik, motra dhe vëllai, të ngjizur brenda një mitre universale dhe aktit simbolik që në këtë rast është inçesti. Kjo dukuri gjendet në mitologji dhe në vetë Biblën. Heroina e poemës time është një Evë, e cila nuk dëgjon këshillën e Atit dhe merr përjetë mallkimin e tij. Dhe në fakt gruan edhe sot e kësaj dite e ka ndjekur ky lloj mallkimi, siç po më ndjek dhe mua që kam shkruar një të vërtetë e cila ka ekzistuar dhe ekziston në shoqërinë njerëzore, edhe si plagë shoqërore, për të treguar se sa me vese është shoqëria e sotme dhe sa shumë përpjekje i duhet për t’u vetëpastruar. Po si mund të vetëpastrohet shoqëria jonë kur, në vend që të godasë hipokritët, godet me gurë ata që na tregojnë se cilët jemi në të vërtetë.
Në cfarë raporti qëndrojnë tek ju si poete provokimi i publikut dhe vërtëtësia artistike personale, nisur jo vetëm nga poezia juaj e fundit “Mallkimi i parë” por edhe tek “Vrima”, e në përgjithësi në tërësinë e artit tuaj?
As mendoj fare kur shkruaj se do provokohet kush apo do tronditet kush. Ama kam një parim të fortë, ta shkruaj të vërtetën si e ndiej, edhe kur ajo më dhemb në tru e në trupin tim. Aty i bëj ekzaminimet. Këtë zbulim tronditës e hedh në vargje. Kaq është e gjitha.
A keni ju një përgjigje për kritikët tuaj që kanë shkuar deri në atë pikë sat a cilësojnë poezinë e fundit si një terrorizëm seksual?
E gjithë kjo që po ndodh e vendos poezinë në gjyqin e masave. Kështu janë dënuar poetët e shkrimtarët në kohën e diktaturës te ne me gjyqin dhe histerizmin e turmave. Poezia kërkon lexues mendjehapur e të kualifikuar që dinë të lexojnë nëntekstin e jo tekstin. Ndaj në gjithë botën ka pak lexues. Po përsëri them që më mirë kështu. Arti ka lindur për të tronditur. Është shumë e dhimbshme, por shumë e bukur. Fjalët e atyre që më sulmojnë më bëjnë nder dhe janë një arkiv i pasur për biografinë time si poete.
/AlpeNews.al/