Zbulohet shkaku i sherrit ne familjen korcare, ku babai dhunoi vajzën e mitur, por 16- vjeçarja e plagosi për vetëmbrojtje.
Ngjarja ka ndodhur në Maliq, ku atë e bijë janë grindur me njëri-tjetrin e më pas babai ka nisur ta dhunojë vajzën e tij adoleshente. Shkak për konfliktin e më pas dhuna mes tyre mësohet se ka qenë një debat banal.
Vajza e mitur në kushtet e vetëmbrojtjes ka marrë një thikë dhe ka qëlluar babain 54-vjeçar, duke e lënë të plagosur. Sipas të dhënave të Policisë, A.C., 54 vjeç, është plagosur nga vajza e tij K.C., 16 vjeçe, në pjesën e parakrahut.
Policia, zyrtarisht, bën me dije se babë e bijë u proceduan në gjendje të lirë, ndërkohë që procedimi ndaj tyre filloi, pasi në banesë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi A.C. e ka keqtrajtuar vajzën e tij, e cila më pas e ka goditur këtë të fundit me një mjet të mprehtë.
Babai 54-vjeçar, pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal të Korçës, u dërgua në Tiranë për mjekim më të specializuar, ndërsa ndaj vajzës 16-vjeçare është lëshuar urdhër mbrojtjeje.
Burime të Policisë bëjnë të ditur se paraprakisht dyshohet se shkak për grindjen mes babait dhe vajzës është bërë fakti se adoleshentja është kthyer me vonesë nga shkolla. E gjitha kjo dyshohet se ka ndodhur në një kohë kur 54-vjeçari ndodhej nën efektin e alkoolit.
Mes tyre ka nisur grindja dhe më tej babai ka nisur të ushtrojë dhunë ndaj vajzës. Kjo e fundit, e gjendur në kushtet e dhunës, ka rrëmbyer një thikë nga kuzhina dhe e ka plagosur të atin në parakrah.
Po të njëjtat burime bënë me dije se vajza edhe më herët ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtje për shkak se ishte dhunuar nga babai i saj. Por pavarësisht kësaj, rrethanat kanë çuar në përsëritje të dhunës, duke bërë që vajza të vetëmbrohet në mënyrën më ekstreme.


