Numri i përgjithshëm i emigrantëve në Gjermani ra në vitin 2017, por duke qenë një vend gjithnjë atraktiv, sidomos për qytetarët e BE-së, numri i të ardhurve nga Ballkani sërish shihet në rritje.
E megjithatë, emigrimi në Gjermani shihet në përgjithësi në rënie.
Në vitin 2017, në Gjermani kanë ardhur 416.000 njerëz më shumë se sa janë larguar. Sipas Zyrës Federale të Statistikave në Visbaden, ardhjes së 1,551 milionë vetëve i qëndron përballë një shifër tjetër, largimi i 1,135 milionë njerëzve.
Në vitin 2016 emigrimi në Gjermani shënonte po ashtu shifra të larta; 500.000 vetë më shumë të ardhur, krahasuar me ata që u larguan.
Ndër të huajt e ardhur në Gjermani numrin më të madh e përbëjnë qytetarët që vijnë prej vendeve të Bashkimit Europian, që janë 239.000 gjithsej.
Gjermaninë e synojnë më së shumti qytetarët rumunë (73.000), polakët (34.000), kroatët (33.000) dhe bullgarët (30.000).
Emigrantët e ardhur nga Ballkani
Vitin e kaluar, nga Kosova kanë ardhur gjithsej 8000 vetë. Sa i takon vitit 2016, të ardhurit nga Shqipëria rezultuan të ishin 26.000 vetë dhe në 2017-n ky numër u rrit me 1000 vetë.
Nga Serbia erdhën 6000 vetë, po kaq edhe nga Maqedonia.
Sa i takon atyre të ardhur nga vendet aziatike, janë regjistruar 140.000 vetë, ndërsa nga vendet europiane jashtë BE-së kanë ardhur 60.000 vetë dhe nga Afrika 35.000 emigrantë.
Ndërkohë, ka rënë ndjeshëm numri i të ardhurve nga Siria, Afganistani dhe Irani.


