Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “Precizioni”, që nisi në muajin maj të këtij viti, ka kryer goditjen e radhës dje në qytetin e Vlorës.
Policia tha se në qytetin bregdetar është arrestuar 32- vjeçari Besmir Lupi, pjesëtar i grupit të Met Kananit, i konsideruar si baroni i drogës, i arrestuar nga Policia turke në muajin mars. Lupi ishte arrestuar në Turqi bashkë me kapon e tij dhe disa anëtarë të grupit, por aty qëndroi vetëm 3 muaj në burg, më pas u la i lirë për t’u arrestuar dje në Vlorë.
“Kapet dhe ndalohet një tjetër pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e narkotikëve. Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar ‘Precizioni’, në kuadër të procedimit penal Nr.54 viti 2017 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Besmir Lupi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë”, njoftoi zyrtarisht Policia.
Ndërsa sqaroi se arrestimi i tij u krye pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, e cila më 11 maj ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
GRUPI I KANANIT
Më 12 maj të këtij viti, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda finalizuan operacionin ndërkombëtar antidrogë të koduar “Precizioni”, duke arrestuar 38 persona, që dyshohen për trafikimin e 8 tonëve drogë.
Të arrestuarit ishin anëtarë të rrjetit të trafikut të drogës, që drejtohej nga Met Kanani. Trafikanti shqiptar ishte me pasaportë amerikane e për këtë arsye, për hetimin dhe arrestimin e tij ishte aktivizuar edhe DEA dhe disa agjenci europiane. Policia tha se këta persona vepronin si një grup i strukturuar në trafikimin e lëndëve narkotike dhe veprimtarinë e kryenin në vende të tjera, kryesisht ato të Bashkimit Europian.
“Është një hetim i zhvilluar prej disa kohësh, në bashkëpunim mjaft të mirë me organet e Policisë së Shtetit, Shërbimet e Inteligjencës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, në funksion të arritjes së rezultateve të mira, ashtu siç po i prezantojmë sot këtu. Gjithashtu po hetohen edhe asetet kriminale, që kanë të bëjnë me ligjin Antimafia”, u shpreh në muajin maj gjatë konferencës për shtyp prokurorja që kishte në hetim këtë çështje, Elisabeta Ymeraj.


