Kompanitë kryesore të medias së shkruar në Shqipëri pësuan një rënie të të ardhurave të përgjithshme prej 9% ose 52 milionë lekë gjatë vitit të kaluar, pavarësisht daljes nga tregu të njërit prej operatorëve më të mëdhenj, Gazetës Shqip.
Të ardhurat e përbashkëta të tetë kompanive të shtypit të shkruar, bilancet e të cilave janë publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishin 499 milionë lekë në vitin 2017, nga 551 milionë që ishin në vitin 2016 dhe 620 milionë në vitin 2015.
Vitet e fundit gazetat kryesore të Shqipërisë janë përqendruar gjithnjë e më shumë në publikimet në internet, ndërkohë që shitjet e gazetave fizike kanë ardhur në rënie.
Por të ardhurat nga aktiviteti në internet nuk kanë mjaftuar për të kompensuar rënien e shitjeve fizike si dhe rënien e të ardhurave nga reklamat.
Katër nga tetë operatorët e tregut të shtypit pësuan rënie të të ardhurave ndërsa katër operatorë, përgjithësisht të vegjlit, pësuan rritje.
Gazeta Panorama, e botuar nga kompania Panorama Group, pësoi një rënie me 10% dhe 2017 ishte viti i dytë radhazi me rënie.
Të ardhurat e kompanisë ishin 244 milionë lekë më 2017 nga 271.5 milionë më 2016 dhe 288 milionë më 2015. Panorama mbetet grupi mediatik më i madh në vend dhe ai zë 49% të totalit të tregut të analizuar.
Kompania Media Union, e cila boton revistën e përjavshme ekonomike Monitor si dhe publikimin online Monitor.al, pati një rritje prej 6% në të ardhura dhe kjo e bëri kompaninë e dytë më të madhe në tregun e medias së shkruar me rreth 12.5% të tregut.
Të ardhurat e Media Union për vitin 2017 ishin 62.4 milionë lekë.
Media Union zuri vendin e dytë vitin e kaluar pasi kompania Unipress, e cila boton gazetën Shekulli, pësoi një rënie të madhe të të ardhurave prej 40%


