Dikur sirianët ishim ne. Imazhet e fëmijëve dhe grave të nxjerra nga ujërat e Adriatikut do të ishin po aq pikëlluese sa edhe ato, që sot bëjnë gjithë botën të lotojë. Veçse atëherë mediat sociale nuk ekzistonin. Një anije e vogël shqiptare e tejmbushur me burra, gra e fëmijë, fundoset në mars të vitit 1997 pranë brigjeve italiane. Nga 140 vetë në bord, 81 u mbytën dhe 27 të tjerë nuk u gjetën kurrë. Plot 21 vjet më pas, ujërat e Otrantos, janë më të kripur. Janë lotët e nënave, grave, të afërmve, të atyre që nuk u kthyen më kurrë, ndërsa vajet me ligje ende i sjell era e vala, si një iso e gjatë polifonie labe. Si homazh i viktimave të Otrantos, në një kontekst të ngjashëm në brigjet italiane, shfaqet në Shqipëri opera “Katër i Radës. Il naufragio”. Një vepër e porositur nga Bienalja e Venecias, realizuar nga Qendra e Prodhimit Teatror Koreja, Itali, me muzikë të Admir Shkurtajt, me libret nga Alessandro Leogrande, autor i romanit-reportazh me të njëjtin titull: “Katër i Radës: Mbytja e anijes”. Pas suksesit dhe çmimeve që ka fituar gjatë dy viteve, që nga dita e premierës, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës, opera do të shfaqet fillimisht në Shkodër në skenën e Teatrit “Migjeni”, për të udhëtuar drejt Prishtinës, në Teatrin “Oda” e më pas do të vijë në Tiranë, në skenën e re të Amfiteatrit në kodrat e Liqenit.



