Shkodra nuk gjen qetësi. Pas ngjarjeve të rënda kriminale të ditëve të fundit, një tjetër person denoncohet i zhdukur. Ngjarja ka ndodhur në Vau Dejës në Fshat i Ri. Bëhet fjalë për shtetasin P.Z 44 vjeç i cili është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. Familjarët janë alarmuar nga largimi prej banesës i 44-vjeçarit dhe në këtë mënyrë kanë shkuar në policinë e Vau Dejës duke bërë një kallëzim.
Ka qenë vëllai i personit të humbur, shtetasi me inicialet N.Z i cili ka treguar se vëllai i tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Efektivët po kërkojnë për gjetjen e tij.
Njoftimi i policisë për këtë rast:
Më datë 31.08.2018, shtetasi N.Z, vjeç55, banues në fshatin Fshati i Ri, ka bërë kallëzim se i është larguar nga banesa vëllai, P.Z, vjeç 44. Po punohet për gjetjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër.
Kujtojmë këtu se para 10 ditësh u zhdukën dajë e nip në Shkodër, Gëzim Hysa dhe Agron Mollaj, dhe deri tani për to nuk ka asnjë gjurmë. Frika dominon kryeqendrën e veriut pas ngjarjeve kriminale. Një ditë më parë u ekzekutua me armë zjarri kallashnikov biznesmeni Arjan Ferracaku, 30-vjeç, baba i dy fëmijëve të mitur. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me përplasjet mes bandave kriminale, por dy pistat ku po hetohet janë konflikti për hotelin dhe gjobat.


