Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur sot seancën dëgjimore me gjyqtarin e Krimeve të Rënda, njëherësh kandidati i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor që përballet me vettingun, Dritan Hallunaj.
Duke qënë kandidat për në KLGJ pasuria e tij do të vetohet me përparësi nga ky komision, ndonëse ILDKPI-ja ka vërejtur se gjyqtari ka deklarime të sakta dhe se nuk ka fshehur pasurinë.
Trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu kanë kërkuar llogari në lidhje me një apartament të blerë nga gjyqtari, pasi godina ku ndodhet apartamenti nuk është e regjistruar në hipotekë dhe as leja e ndërtimit të kësaj godine. Bëhet fjalë për një apartament 165 m2 të blerë 49 mijë euro në vitin 2005, për të cilin gjyqtari ka thënë se ka marrë një kredi, ndërsa pjesa tjetër është plotësuar nga kursimet.
E ndërsa KPK-ja ngriti dyshime për çmimin e blerjes, shumë më të lirë se çmimet e tregut, Hallunaj shpjegoi se rasti ishte okazion për shkak të vështirësisë financiare të ndërtuesit. Subjekti ka paraqitur si provë një kontratë shit-blerjeje në të njëjtin pallat me çmim të përafërt.
Nga ana tjetër KPK-ja ka konstatuar se për llogari të kredisë është depozituar një kontratë e ndryshme nga ajo e banesës së blerë. Sipas kontratës rezultonte se subjekti duhet t’i kishte shlyer 2.9 milion lekë. Subjekti ka sqaruar se kjo kontratë është revokuar para se të bëntë kontratën tjetër.
PASURIA
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Hallunaj është rritur me 27 herë, duke kapur vlerën e 13.4 milionë lekëve. Pasuria familjare e gjyqtarit të Krimeve të Rënda përbëhet nga një apartament në vlerën e 6 milionë lekëve, likujditete në bankë në vlerën e 5.7 milionë lekëve, 750 mijë lekë kursime në cash dhe automjet me vlerë 1 milion lekë.


