Debati për godinën e Teatrit Kombëtar ka sjellë përplasje të ashpra në Komisionin Parlamentar të Mediave. Opozita kishte thirrur sot në interpelancë ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, por në mbledhje u paraqit bashkë me ministren edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Që në nisje të takimit, PD dhe kryetarja e komisionit deputetja demokrate, Albana Vokshi kërkuan që kryebashkiaku të largohej. Sipas demokratëve, seanca me kreun e bashkisë për Teatrin Kombëtar nuk ishte planifikuar për sot. Vokshi urdhëroi Gardën e Republikës që të nxjerrë jashtë nga mbledhja kryebashkiakun e Tiranës, por ai ka refuzuar duke deklaruar se ishte i ftuar nga deputetët e komisionit. E këtu nisi gjithçka, derisa u panë të transmetoheshin live skena ku garda, deputetë të mazhorancës e opozitës në vend të arësyes nisën me përdorimin e zërave të ngritur, duarve dhe këmbëve…
Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi rrëfen hapin e radhës dhe arsyet e vërteta të tensioneve në Komision.
Çfarë ndodhi konkretisht në Komisionin Parlamentar të Medias?
U stimilua një situatë e pazakontë me tensione për shkak të mënyrës që zgjodhi kryebashkiaku i Tiranës për t’iu imponuar Komisionit të medias. Mbledhja e sotme ishte e thirrur për një seancë dëgjimore me Ministren e Kulturës për cështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar, nga 1/3 e deputetëve firmëtarë të opozitës, sipas rregullores. Vetë Ministrja për shkak të pamundësisë më të hershme e shtyu paraqitjen para komisionit për datën e sotme. Ndërsa Kryebashkiaku ishte i thirrur në degjesë po nga i njëjti grup për ditën e nesërme, e mërkurë. Paralelisht dje me një artificë „të pakuptim“ por të urdhëruar deputetët e majtë parashtruan një kërkesë të ngjashme, por me ndryshimin që dhe Ministrja dhe Veliaj të thirreshin në një ditë. Kjo kërkesë e tyre u gjykua nga ne, e tillë që nuk mund ti bashkangjitej kërkesës sonë, por të zhvillohej pas dëgjesës me Ministren. Brenda cdo norme parlamentare dhe sipas rregullores kemi insistuar që fillimisht të përfundonte dëgjesa e e parë dhe më pas të procedohej dhe me kërkesën e mazhorancës për t’i dëgjuar të dy bashkë. Këtë ja kemi komunikuar dhe deputetëve të majtë të cilët u dakortësuan. Çuditërisht Veliaj uzurpon tavolinën e të ftuarve dhe u mundua të bëntë moskokëçarësin dhe bllofistin. Me të drejtë Kryetarja e Komisionit ka kërkuar daljen e tij, sepse nuk ishte i ftuari i momentit. Veliaj ka vazhduar në të tijën duke zbrazur përroin e tij të ndërgjegjes së bërë pis, me klishe e thirrje pa kuptim. Znj Vokshi me të drejtën që i imponon rregullorja ka kërkuar që shërbimet e gardës të nxjerrin jashtë nga Komisioni të paftuarin. Provokimi i Gardës dhe i Veliaj solli dhe reagimin tonë që u pasua me largimin e turpshëm të Kryebashkiakut i cili mori me vete si manare dhe Kumbaron
Pse ndodhi dhe si mund të zgjidhej ndryshe?
Ndodhi sepse ka një skemë sjellje të paracaktuar nga e majta. Megjithëse të gjitha iniciativat të themi „ligjore“, por që në fakt janë antiligjore, për prishjen e Teatrit i ka marrë Ministrja, duke nisur nga kërkesa e kurorëzuar me VKM-në që la jashtë Teatrin nga qendra historike e qytetit e duke vazhduar me projektligjin e parashikuar për shembjen e Teatrit, ajo qartazi është urdhëruar të mos japë opinione. Kështu ndodhi me artistët dhe kështu duket se duhet të ndodhë në të gjitha debatet. Në PS kane frikë se Kumbaro „ngatërrohet me këmbët e veta“ pasi ajo ka dhënë në një hark kohor të vogël deklarata që bien ndesh me njëra-tjetrën për Teatrin dhe ka humbur vazhdimisht betejat në Komision dhe me artistët. Veliaj i duket PS-së më konsekuent nga ana deklarative pasi ai ka nxjerrë i pari e ka mbrojtur projektin zhvatës, kur Kumbaro deklaroi që nuk ka një të tillë. Plus që Veliaj bashkë me Ramën duket që janë përfituesit e drejtpërdrejt përballë një Mirele kamikaze. Si të thuash Kumbaro e realizoi të plotë tashmë rolin e „kukullës“ së përdorur dhe tani ose duhet të hidhet ose duhet të protektohet. Prandaj ajo nuk lihet vetëm por i bashkangjisin me zor protektorin.
Ndodhi sepse në fakt duhet të prodhojnë ngjarje që të heqin vëmendjen nga qëllimsia kryesore e përfitimit miliarder për të ndërtuar kullat e famshme që do kompesojnë mjerimin e Teatrit modern të ri.
Si zgjidhej? Fare thjeshtë. Dëgjohej Kumbaro për çështjen sipas kërkesës sonë. Më pas po të donin të majtët pasi të mbaronte Kumbaro dëgjohej dhe Kumbaro dhe Veliaj
I kujt është faji dhe çdo bëhet në të ardhmen ne lidhje me këtë çështje, në Komision?
“Kush vjen i paftuar e gjen të pashtruar“- thotë një fjalë e urtë. I paftuari aq më keq nuk duhet të sillet si „kapadaiu që përfaqëson lagjen e tij“ në vendin ku nuk mund të hysh pa pasur një ftesë pavarësisht statusit politik. Për ta zgjidhur situatën kemi ripërsëritur kërkesën tonë që Ministrja të paraqitet para komisionit për të sqaruar hapat e ekzekutivit dhe përgjegjësitë e tij për shembjen e Teatrit dhe më pas do kërkojmë që para komisionit të paraqitet Veliaj, i cili mund të zgjedhë që për staf të marrë dhe ministren me vete po të dojë.
PS kerkoi shkarkimin e Albana Vokshit, cili do të jetë qendrimi juaj?
Nuk ka asnjë tagër ligjor ta kërkojë një gjë të tillë PS-ja. Për më tepër Znj. Vokshi ka zbatuar pikë për pikë rregulloren e Kuvendit. Është bombë tymuese e rradhës kjo. Gjë pa vlerë, zhurma e së cilës dëgjohet deri vetëm tek selia e PS.
A ishte ky një “kurth” sië e shprehu edhe ai vetë, për kryebashkiakun Veliaj?
Po ishte kurth, por një kurth i sajuar nga vetë zoti Veliaj çarku i të cilit kapi vetë Kryebashkiakun.
AlpeNews.al


