Një person është vrarë mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës.
Ai është qëlluar me armë zjari, ndërsa mësohet se viktima ka qenë duke udhëtuar në një makinë tip Ford me targa italiane, kur është qëlluar.
Nuk ka ende detaje rreth ngjarjes, por viktima është idetifikuar si Vasil Dervishaj, pronar i një lokali të njohur në këtë qytet.
Vasil Dervishaj po bëhej gati që të zbriste nga makina e tij me targa OD 467AF në momentin që është qëlluar me armë zjarri. Ai ka tentuar që të largohet, duke zbritur nga makina, por autorët e kanë qëlluar disa herë duke e lënë të vdekur në vend. Kanë qenë qytetarët ata që kanë lajmëruar policinë, pasi dëgjuan të shtënat me armë zjarri dhe panë të shtrirë trupin e 29-vjeçarit në tokë.
Dervishaj është pronar i një lokali dhe “Kafe Gimoka”-s, ndërkohë që është emër i njohur edhe për policinë e Vlorës, pasi ka qenë i arrestuar më parë për trafik droge. Pistat e para të hetimit janë ato për prishje të pazareve të drogës ose hakmarrje.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona me qëllim kapjen e autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fierit për të humbur gjurmët. Policia ka ndaluar disa persona për ti marrë në pyetje. Ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe familjarët për të hedhur dritë mbi konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur 29-vjeçari që mbeti i vdekur.
Njoftimi i policise:
Vlorë
Informacion paraprak
Më datë 04.06.2018, në lagjen ”Pavarësia” tek ish-kombinati i peshkut, është vrarë me armë zjarri shtetasi V.D., 29 vjeç, banues në Vlorë.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dhe për identifikimin e kapjen e autorit.


