Godina e madhe në Shkozet të Durrësit, në të cilën humbën ndjenjat 24 punëtore të një fasonerie të firmës italiane “Lovers Albania” është një nga 16 pronat e padeklaruara të Rovena Gashit, për të cilat ajo po hetohet zyrtarisht nga Prokuroria.
Pasi morën ndihmën e parë mjekësore, disa prej punëtoreve duket se e kanë tejkaluar situatën e rëndë shëndetësore, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë të shtruara në spitalin e Durrësit.
“Kemi marrë vetëm serum…jemi shumë keq sepse na bie të fikët sapo ngrihemi nga krevati. Ku ti lej fëmijët unë?
Prej disa ditësh kjo është gjendja në të cilën ndodhen të paktën 7 prej punëtoreve të fasonerisë “Lovers Albania”. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në ndërmarrjen e madhe të fasonerisë e cila prodhon veshje ushtarake për shtetin italian. Mjekët ende nuk janë në gjendje që të shpjegojnë diagnozën e tyre.
Fasoneria e kompanisë italiane “Lovers Albania” në Lagjen Nr. 14 Shkozet, në Durrës me administratore zonjën Susan Schiatti, vazhdon të jetë e mbyllur pas kësaj ngjarje.
Kjo firmë e zhvillon aktivitetin në godinën që duket në fotot poshtë, ku në njërën prej tyre dallohet edhe tabela reklamuese e kompanisë Lovers Albania. Kjo godinë është njëra nga 16 pronat për të cilat Prokuroria e ka marë të pandehur Rovena Gashin sebashku me bashkëshortin e saj Dritan Gina, për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. Dyshimet se kjo godinë i përket ish Drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe për Dekriminalizimin kur një investigim zbuloi se administratorja e kompanisë Lovers Albania kishte një kontratë me z. Nuredin Gashi, babain e Rovena Gashit përenergjinë elektrike në këtë godinë.
Në këtë rast besohet se Rovena Gashi nuk ka lidhje me rastin e helmimit të punëtoreve, pasi me siguri që ajo do të sqarohet nga drejtuesit e firmës që i paguajnë qeranë me sa duket, familjes Gashi.
Përgatiti: Alpenews.al






