Miratimi i vendimit të Kodit të Sjelljes së deputetëve në parlamentin shqipëtar ishte një nga vendimet i cili duhet të të miratohej më parë.
Sipas juristit Niazi Jaho ky është një vendim disi i vonuar dhe madje ka patur edhe mendime se ne kemi Rregulloren e Kuvendit dhe s’ka pse na duhet një Vendim i veçantë.
-Z.Jaho, në prill të këtij viti Kuvendi miratoi Vendimin e Kodit të sjelljes së deputetit. A jeni njohur me këtë vendim? Nëse po, mund të shprehni ndonjë mendim?
-Po, para tre ditëve jam njohur me Vendimin Nr 61, datë 5 prill 2018 që miratoi Kodin e sjelljes së deputetit dhe që hyri në fuqi menjëherë. Madje mund të them se miratimi i tij është disi i vonuar.
–Pse mendoni se është i vonuar?
-Sepse ka vite që për këtë problem është diskutuar. Ka vite që miratimi i tij ka qënë i nevojshëm dhe i rekomanduar, por mendoj se për mungesë të vullnetit politik nuk është miratuar. Madje ka patur edhe mendime se ne kemi Rregulloren e Kuvendit dhe s’ka pse na duhet një Vendim i veçantë.
-Ku mbështetet Vendimi i mësipërm i Kuvendit?
-Ai mbështetet në nenin 75, pika 2 të Kushtetutës ku thuhet se: “Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarve”. Ai bazohet gjithashtu në nenet 40 dhe 117 të Rregllorës së Kuvendit ku bëhet fjalë përkatësisht për veprimtarinë parlamentare dhe ndryshimin e Rregullores. Vendimi për Kodin e sjelljes së deputetit është pjesë e Rregullores së Kuvendit.
-Cili ka qenë qëllimi i miratimit të këtij vendimi?
-Që në nenin 1 të këtij vendimi thuhet se qëllimi i miratimit të kodit të sjelljes së deputetit,është përcaktimi i parimeve etike dhe forcimi i integritetit të deputetit gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij. Vendimi, veç të tjerave, synon të rrisë transparencën e veprimtarisë së deputetit dhe përgjegjshmërinë e tij për të forcuar besimin tek publiku. Ky kod, parashikon rregullat bazë mbi standartet e sjelljes së deputetit në ushtrimin e veprimtarisë parlamentare dhe jo-parlamentare që prek funksionet e tij. Në zbatim të këtij kodi zbatohen rregullat proceduriale të parashikuara në Kushtetutë, në Rregulloren e Kuvendit dhe në legjislacionin në fuqi.
-Çfarë thuhet në vendim lidhur me parimet e etikës?
-Kërkohet zbatimi i etikës sipas standarteve të sjelljes. Deputeti duhet të veprojë në interest të popullit, të udhëhiqet nga interesi i gjerë publik, të veprojë në përputhje me besimin që i ka dhënë populli si dhe në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që parashikohen në lëgjislacionin në fuqi për statusin e deputetit. Sipas këtij vendimi, është rreptësisht e ndaluar perdorimi në Kuvend i gjuhës së palejueshme fyese ose kërcënuese, ofendimet dhe sulmet fizike personale, gjuha që nxit urrejtjen dhe diskriminimin, steorotipizimin në komunikimin e përditshëm, në fjalimet politike në veprimtarinë parlamentare ose jashtë parlamentare ku ai (deputeti) merr pjesë.
-A parashikohen në vendim masa disiplinore ndaj deputetit që vepron në kundërshtim me etikën parlamentare dhe sjelljen e tij?
-Jo, për qëndrime të tilla masat disiplinore parashikohen në kreun IX të Rregullores së Kuvendit të titulluar “Rregulli dhe sjellja në Kuvend” ku përkatësisht në nenet 62,63,64,65, dhe 66, bëhet fjalë për masat disiplinore, tërheqjes së vëmëndjes dhe vërejtjes, të masave disiplinore më të rënda përfshi edhe ndërprerjen e seancës parlamentare.
Megjithatë, mendoj se nevoja e miratimit të vendimit Nr 61/2018,veç të tjerave është kushtëzuar nga dy faktorë kryesorë. Së pari, në vendim përmendet jo vetëm qëllimi i miratimit të tij, por edhe parimet e përgjithshme të etikës parlamentare, ndërsa në kreun e II janë parashikuar 8 dispozita të rëndësishme që në mënyrë të qartë dhe të detajuar, përcaktojnë se cila duhet të jetë sjellja e deputetit në Kuvend, gjë që në Rregulloren e Kuvendit në këtë drejtim kishte mangësi. Së dyti, vendimi i mësipërm në përmbajtje dhe në procedurë është i standarteve ndërkombëtare. Në të përmenden çështje që nuk parashikoheshin në Rregulloren e Kuvendit. Mund të përmendim p.sh detyrat e deputetit lidhur me ushtrimin e nismës ligjvënëse, mbikqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe akteve të tjera të miratuara nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave, institucionet e pavarura, Ministritë ose organet e qeverisjes vendore, takimet e deputetit me zgjedhësit, komunikimet me ta,etj.Në kreun III të vendimit parashikohen gjithashtu dhe dispozita që kanë të bëjnë me konfliktin e interesave dhe deklarimin e kontrollit të pasurive, kufizimet gjatë ushtrimit të mandatit, lobimin në Kuvend, transparencën e deputetit deri edhe dispozitat që rregullojnë marrjen e dhuratave dhe përfitimeve të tjera të ngjashme.
Dispozitë e rëndësishme është edhe ajo ku përmendet procedura që duhet ndjekur në rastet e interpretimit të kodit të sjelljes. Për këtë, në nenin 29 të Vendimit thuhet se “Kryetari i Kuvendit, një kryetar grupi parlamentar, një komision i përhershëm, mund të kërkojnë që çështja e interpretimit për një rast veçantë t’i paraqitet Kuvendit në seancë plenare për të marrë vendim”.
-Si para miratimi të këtij ligji edhe mbas miratimit të tij d.m.th mbas datës 5 prill 2018 në seancat parlamentare dhe komisionet e përhershëm të tij, ka patur raste të sjelljeve të paligjshme dhe ofendimeve deri edhe tentative të sulmeve fizike personale. Ç’mendoni për këtë?
-Asgjë të veçantë, veç asaj që mendojnë edhe shumë të tjerë. Këto sjellje janë të papranueshme. Veç ndikimit negativ ato cënojnë edhe vetë reputacionin e organit përfaqësues, funksionimin e tij normal. Nuk është këtu çështja e kritikave qofshin ato edhe të ashpra, por e veprimeve që kryen dhe që bien ndesh me Rregulloren e Kuvendit dhe Vendimin e miratuar me 5 prill të këtij viti.
Ligjet dhe aktet nënligjore që miratohen dhe vazhdojnë të jenë në fuqi detyrimisht duhet të zbatohen pavarësisht se cilët deputet votojnë pro dhe cilët kundër. Ky është rregulli i demokracisë parlamentare. Këtë e kërkon parimi i ligjshmërisë që garanton siguri dhe stabilitet.
Ligjet dhe aktet nënligjore mund të kritikohen. Mund të kërkohet ndryshimi apo shfuqizimi i tyre. Nga subjektet që Kushtetuta i legjitimon kur është rasti për shqyrtimin e tyre mund të vihet në lëvizje edhe Gjykata Kushtetuese.
-Në një nen të Kushtetutës bëhet fjalë për kufizimin e imunitetit. Për këtë ka patur kritika dhe kundërshtime. Mund të shprehni ndonjë mendim a janë të argumentuara këto kundërshtime?
-Nuk di përse dhe në ç’drejtim është kundërshtuar neni 19 i Vendimit i titulluar “Kufizimi i mandatit”. Edhe ky nen, ashtu sikurse krejt vendimi është pjesë (Aneks) i Rregullores së Kuvendit.Kur diskutohet ose kur shtrohet çështja e kufizimit të imunitetit të deputetit përparësi ka neni 73 i Kushtetutës si dhe nenet 288 dhe 289 të Kodit të Proçedurës Penale të ndryshuar në 10.03.2014, në vitin 2017 dhe 30.03.2017.Rregullorja e Kuvendit dhe pikërisht neni 19 i Vendimit 61/2018 të Kuvendit, duhet të jenë në përputhjë më Kushtetutën. Duke u njohur më përmbajtjen e nenit të mësipërm, në aspektin kushtetues dhe ligjor nuk me rezulton të ketë ndonjë formulim anti-kushtetues apo të kundra-ligjshëm. Por pavarësisht nga mendimi që unë shpreh. Subjekti i legjitimuar që mendon ndryshe, ka të drejtë të vejë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. /AlpeNews.al
Ky material është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të plotë apo të pjesshme, bëhet vetëm me lejen e redaksisë.
*Niazi Jaho, jurist


