Largimi i Saimir Tahirit nga Parlamenti dhe çlirimi nga çdo lloj pengese në hapësirën mes Prokurorëve, atij vetë dhe gjyaktësve, pas jehonës së parë befasuese për shumëkënd, filloi të komentohej si çdo vendim i tillë në Shqipëri. Një lexim ky që nuk mund ti shpëtonte kulturës sonë të të shikuarit të gjërave ose bardhë, ose zi. Ose pro, ose kundra.
E majta tha se vendimi ishte krejt personal dhe duhet parë thjeshtë si një raport individual mes Saimir Tahirit tashmë një qytetar i lirë, i vetëm përballë drejtësisë.
Ndërsa e djathta, kuptohet se pas entuziazmit të parë që u krijoi, duke i rikthyer buzëqeshjen e një fitoreje politike për të cilën janë investuar kaq shumë energji dhe muaj, doli tek tezat e saj e zakonshme, e pritshme edhe për këtë rast. Për opozitën, dorëzimi i mandatit të deputetit nga ish ministri socialist, ishte pjesë e një pakti mes tij dhe kryeministrit, pas kthimit të tij nga Berlini. E duke i vënë vulën më pas, edhe parashikimit të tyre se në fund, pakti është që Tahiri herët ose vonë do ia hedhi drejtësisë, ndaj ai që e ka radhën për të ikur tani është vetë Edi Rama.
Ka edhe lexime të tjera përtej këtyre dy pamjeve, të cilat kanë filluar të artikulohen dhe me siguri që do të mbajnë gjallë edhe në ditët e ardhshme, debatin politik, mediatik dhe publik në Shqipëri.
Saimir Tahiri ka aq përvojë dhe e njeh tashmë aq sa duhet politikën dhe shtetin, sa ai të ndërmerte një vendim për një arësye ndoshta shumë më të thjeshtë në dukje, por të fortë dhe të rëndësishme për fatin e tij juridik, duke zgjedhur që të luftojë siç edhe premtoi “i vetëm kundër të gjithëve që i janë bërë bashkë”, për drejtësinë e tij.
Nisur nga kjo, ka shumë mundësi që një nga shtysat e tij të mëdha e të brendshme, mund të ketë ardhur nga një lexim i qartë deri në kthejlltësinë e asaj që askush tjetër nuk është në gjendje ta shohë nga këndi i prespektivës së tij. Një vendimarrje e fortë, koshiente dhe instiktive, për shkak të një situate shumë specifike që u krijua në zhvillimet e brendshme politike dhe gjeapolitike të Shqipërisë, të cilat për njëmijë e një arësye, kishin ngërthyer brenda tyre, emrin, karrierën dhe të ardhmen e Saimir Tahirit.
Kjo situatë, rrethanë apo gjendje specifike, kishte të bënte me faktin se emri i tij, u bë rrufepritësja politike e një procesi aq specifik, siç është marja e rekomandimit dhe përpjekjeve pas kësaj, për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
I gjendur nën këtë “kurth” dhe në këto rrethana ku askush tjetër nuk do të dëshironte që të ishte, ka qenë ndoshta shumë e vështirë për të që ta përballonte të gjithën këtë trysni “in extremis”, e cila sa vinte dhe e rrallonte oksigjenin politik rreth tij. Ndaj, e vetmja deriçkë që i kishte mbetur për të shpëtuar nga kjo situatë “mbytëse”, duke i dhënë kohë dhe mundësi vetes që të çlirohej dhe të vazhdojë maratonën jetësore “i vetëm kundër të gjithëve”, ishte të dilte nga politika duke dorëzuar mandatin e deputetit.
Një manovër e guximshme dhe interesante, që i heq politikës dhe diplomacisë së integrimit të Shqipërisë një nga targetet e saj kryesore për të goditur, e që vë në provë reale tashmë, drejtësinë e re dhe atë të vjetër, që po mban prej kohësh në duar, dosjen e Saimir Tahirit.
Përballë Saimir Tahirit dhe të vërtetës së tij, janë tashmë të njëjtët prokurorë që deri dje i kërkuan Parlamentit autorizimin për arrestimin e tij dhe nga ana tjetër, të njëjtët gjyqtarë që po prisnin për të treguar se e drejta për ta shkon përtej një ish ministri të Brendshëm dhe “gjithë të tjerëve që janë bërë sot bashkë kundër tij”.
Saimir Tahiri kishte guximin ti binte gongut të kësaj loje, me dorën e vet. Duke i dhënë mundësinë gjithë të tjerëve, që ta shohin atë tashme të vetëm përballë akuzës në ring dhe gjyqtarit që po bëhet gati të japë shenjën e nisjes. Mbani frymën njerëz. Loja sapo ka filluar.


