Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave ështëvendosur: “Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni.”.
Neni dy parashikon që “Në pikën 2, fjalët “… si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë… ”, hiqen”.
Nëni tre parashikon që “Kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.”.
Ndonëse ministri i financave Ahmetaj kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të futeshin vetëm 9 mijë biznese dhe disa kategori si psh berberët, ambulantët do të përjashtoheshin, në ligj përjashtimet janë vetëm për prodhuesit bujqësorë dhe shërbimin e turizmit.
Vlerësohet se janë mbi 60 mijë biznese që sot operojnë pa TVSH.
FMN dhe ekspertët kundër
Fondi Monetar Ndërkombëtare ishte shprehur fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së për bizneset e vogla. “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme.
Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime.
Ne e kemi këshilluar gjithashtu qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (p.sh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale). “, ka pohuar Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke.
Arben Malaj, ish ministër i financave, ka pohuar se ndonëse kjo praktikë po bëhet, sipas argumenteve të qeverisë për të luftuar informalitetin, praktika ka treguar që kur i fut të gjitha bizneset njëherësh në një skemë, kjo të çon në rritjen e informalitetit.
Ndërsa Dhoma Amerikane ka shprehur shqetësimin që kufiri I TVSH-së iu la në dorë të vendoset Këshillit të Ministrave çka është një shkelje e Kushtetutës. {Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtarët e Dhomës janë të mendimit që këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 155 të Kushtetutës së Shqipërisë “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre, caktohen me ligj”}, ka pohuar Dhoma në komentet për paketën fiskale.
Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasta ka pohuar se vendosja e TVSh-së për biznesin e vogël nuk është e pranueshme nga ana e tyre dhe se po lobojnë fuqishëm si shoqatë që të mos aplikohet shtrirja e pragut të TVSH-së, si dhe do ta çojnë rastin në kushtetuese me mbështetjen e deputetëve.