Ka qenë e zezë kjo e premte për çiftin e famshëm të Prokurorisë së Përgjithshme të periudhës përpara Kryeprokurores aktuale Arta Marku.
Bëhet fjalë për të mirënjohurit Adriatik Llalla dhe Rovena Gashi, të cilët po shohin me sytë e tyre sesi i rrënohet çdo ditë e më tepër pushteti i plotfuqishëm i dikurshëm, të cilin siç ka thënë një ish ministër Drejtësie e përdorën për tu vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe politikës, në këmbim të mbylljes së dosjeve të tyre dhe pasurimit të paligjshëm për vete.
Çka ndodhur sot me çiftin Llalla- Gashi që ia bënë këtë të premte të jetë ndoshta një nga më të zezat e jetës së tyre?
Nisin hetimet zyrtare pë Adriatik Llallën për pastrim parash
Ish Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Adriatik Llalla është nga sot nën hetim për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal të Shqipërisë.
Lajmi konfirmohet për Alpenews.al nga burime të sigurta, të cilat japin edhe detaje rreth këtij zhvillimi kaq të bujshëm.
Hetimet janë duke u zhvilluar nga një grup prokurorësht të caktuar nga Prokuroria e Përgjithshme, me asistencën direkte të partnerëve tanë ndërkombëtar, të kryesuar nga ekspertë të antikrimit nga SHBA dhe BE.
Hetimet janë fokusuar tek zbardhja e të gjitha pasurive të deklaruara ose jo nga ana e z. Llalla, mbi aferat dhe skandalet e pronave të bëra publike kohët e fundit nga mediat, tek jeta superluksoze e familjes Llalla, nga hetimi i bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose shkalla e parë e vettingut një proces i ndërprerë pak kohë më parë me kërkesë të ish Kryeprokurorit.
Nga ana tjetër, i është kërkuar ndihmë FBI dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat po sjellin provat dhe faktet e tyre kundër Llallë, me anë të të cilave morën edhe vendimin për ti ndaluar hyrjen në SHBA katër pjestarëve të familjes Llalla.
Mësohet se çështja do ti kalojë pas kësaj për hetim JO Prokurorisë së Tiranës ku z. Llalla ka ende ndikim dhe konflikt interesi për shkak të emërimeve nepotike dhe korruptive që besohet se ka bërë kur ishte në detyrë.
Në këto kushte nisur edhe nga rregullat e procedimit që ndjek Prokuroria në raste të tilla, çështja pritet ti kalojë për juridiksion prokurorisë së qarkut më të afërt që në këtë rast janë ato të Durrësit ose të Prokurorisë së Elbasanit.
Eshtë hera e parë në historinë e Shqipërisë që një ish Prokuror i Përgjithshëm vihet nën hetim për akuzën e rëndë të pastrimit të parave të pista, një akuzë pothuajse e paralajmëruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit kur e motivoi futjen e familjes Llalla në listën e saj të zezë me përfshirjen në raste të mëdha korrupsioni të ish Kryeprokurorit, gjatë kohës që ka qenë në këtë detyrë.
Në një farë mënyre këtë zhvillim të sotëm e paralajmëroi edhe Prokurorja e Përgjithshme, znj. Arta Marku gjatë intervistës së dhënë mbrëmë në një televizion.
Ndërkohë që bashkëshorti i Rovena Gashit rrëzohet sërisht në Gjykatë.
Vendimi i Prokurores së Përgjithshme Arta Marku për shkarkimin e Dritan Ginës si Kryeprokuror i komanduar i Qarkut të Elbasanit është cilësuar sërisht i drejtë nga ana e Gjykatës.
Gjykata e Durrësit e ka rrëzoar ankimin e prokurorit Dritan Gina. Ky i fundit akuzoi Markun për shpërdorim detyre. Gina nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës së Tiranës. Përgjigja që ai ka marrë është se: Marku ka vepruar konform ligjit.
Ndërkohë që të tjera lajme të tilla pritet të mbërrijnë për çiftin Llalla- Gashi në ditët në vijim nisur nga skandalet që kanë shpërthyer publikisht dhe mediatikisht për ta. Llalla është pajtuar me fatin dhe po pret ti dorëzohet plotësisht drejtësisë.
Ndërsa çifti Gashi- Gina duken nje version modern dhe demokratik i thënies së dikurshme “komunistët nuk dorëzohen”. Por edhe ata u dorëzuan një ditë… E çfarë dorëzimi!
Përgatiti: Alpenews.al


