Gjatë ditëve të fundit është hapur një debat publik mbi mbarëvajtjen e funksionimit të Universitetit të Tiranës. Në këtë debat nga ana e Rektorit të UT, është anatemuar në disa raste Bordi i Administrimit të UT.
Gjeneza: Dy institucionet më të larta të Universitetit të Tiranës, Rektorati dhe Bordi i Administrimit, prej kohësh nuk janë në unison me interesat e universitetit. Shkak për këtë janë bërë kompetencat e palëve, të ndara qartësisht në ligjin e arsimit të lartë.
Çështja ka shkuar deri aty sa për vendime brenda institucionit të vendosë gjykata. Sakaq, përplasjet e vazhdueshme janë reflektuar në mbarëvajtjen e punës në universitet. Teksa mbajnë qëndrime katërcipërisht të ndryshme mbi ndarjen e përgjegjësive që duhet të kenë institucionet, e vetmja pikë që i bashkon dy palët është pritshmëria e problemeve të tilla që pas miratimit të ligjit për arsimin e lartë.
Si vijoi:Pas debateve për ligjin e arsimit të lartë dhe kompetencave të Universiteteve, 4 dekanë të Universitetit të Tiranës, konkretisht Artur Sula, Edmond Rapti, Artan Hoxha, dhe Dhori Kule kanë dalë në konferencë për mediat.
Gjatë fjalës së tij, dekani Dhori Kule u shpreh se Universiteti i Tiranës nuk ka nevojë për mbrojtje nga politika dhe sipas tij kryeministri nuk mund të zgjedhë hallet e Universitetit.
Kule tha se rektori Mynyr Koni është përpjekur të kryejë funksionet administrative dhe qëndrimi në detyrë i tij nuk i përgjigjet kërkesave ligjore, por është në dëm të hapur me interesat e UT.
Çfarë ka ndodhur me UT? Që në muajt e parë rektori Koni është përpjekur të kryejë funksionet administrative. Ai firmos kontrata dhe ne ja kemi bërë të qartë se nuk është kompetencë e tij. Ai është futur në kompetenca të të tjerëve. Ne nuk i kemi kërkuar kryeministrit të zgjidhë hallet tona. Kemi parë një qëndrim të një grupi pedagogësh që i thonë që marrë masa. Duke qenë se qëndrimi i Rektorit vazhdon të jetë i njëjtë, megjithë përpjekjen e institucionale të autoriteteve dhe organeve brenda UT, si edhe atyre jashtë UT, vlerësojmë se qëndrimi i mëtejshëm në detyrë i Rektorit jo vetëm nuk i përgjigjet kërkesave ligjore, por është në dëm të hapur me interesat e administrimit, drejtimit dhe zhvillimit Institucional të Universitetit të Tiranës”- tha Dhori Kule.
Kuvendi: Kujtojmë se gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Rama duke iu referuar opozitës tha se ‘prerjen e kokave’ në Universitetin e Tiranës e kërkojnë 4 dekanë.
“‘Prerjen e kokave’ në Universitet e kërkon dekanati, janë 4 dekanë me në krye Dhori Kulen. Studentet kërkojnë shkarkimin e rektorit, prandaj kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë. Rektori grindet me kryetarin e bordit të administrimit dhe përfundon puna në çështje bravash, kush ka bravën. Ndërrohen bravat në Universitet”- tha Rama.
SOT: Bordi i administrimit që përbëhet nga 7 anëtarë; 3 përfaqësues të ministrisë së arsimit dhe 4 të universitetit të Tiranës; ka renditur, sipas tij 11 shkelje që rektori Mynyr Koni ka bërë në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë.
Në vija të përgjithshme, bordi i administrimit thotë se Rektori kurrë nuk e ka njohur bordin si organ kolegjial të universiteteve. Nuk ka zbatuar vendimet e tij dhe nuk ka protokolluar asnjë shkresë të bordit.
Ky organ i universiteteve thotë gjithashtu se Koni shpreh vullnetin e tij për të uzurpuar kompetenca administrative/financiare, funksione që ligji ia ka dhënë Bordit dhe Administratorit dhe penguar që ato të ushtrohen nga organet apo autoritetet e ligjshme.
Shqetësimi i bordit është Koni është më i fokusuar në çështjet financiare dhe administrative se ato akademike; në këtë pikë duke lidhur dhe zgjidhur kontrata punësimi jo me pedagogët sikundër e kërkon ligjit por edhe ndaj punonjësve të administratës.
Në lidhje me situatën e problemeve të brendshme, herë pas here deri në konflikter personale, bordi i administrimit të universiteteve thotë se Rektori me disa punonjës administrativë penguan Administratorit të komanduar duke mos lejuar futjen e Tij në zyrë prej datës 3 gusht deri në 4 tetor.
Por përtej kësaj situate, një pjesë e pedagoge të universitetit të Tiranës paralajmëruan mundësinë e grevës duke ngritur shqetësimin se refoma e arsimit të lartë po e con universitetin në humbje e funksionit të tij. Pritet që ky grupim akademikësh, të dalë ditën e martë në një komunikatë të përbashkët në lidhje me kërkesat e tyre dhe ecurinë e punës në universitet.
Çfarë thotë Mynyr Koni:
LETËR E HAPUR
U njoha nëpërmjet mediave, me letrën e 4 (katër) dekanëve të katër fakulteteve të Universitetit të Tiranës, drejtuar Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla, “Për fillimin e proçedurës disiplinore të shkarkimit të Rektorit të Universitetit të Tiranës”, dërguar që në datën 16 Tetor 2017.
Së pari, do të doja të isha njohur mbi këtë letër nëpërmjet Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, për më tepër që ajo paska disa muaj që i është dërguar. Dhe kështu do të kuptoja më mirë edhe arsyet se përse nga MASR-i vinin njëri pas tjetrit në Rektoratin e UT-së grupet e inspektimit, në mënyrën më të paligjshme, më arrogante, më shantazhuese dhe më intimiduese.
U përpoqa të gjeja midis paragrafëve të kësaj letre ndonjë gjë të vërtetë, por, fatmirësisht për mua, nuk kishte asgjë të tillë…. Kurse publikut të gjerë që e ka dëgjuar dhe që dëshirojnë të sjellin fëmijët e tyre për të studiuar në Universitetin e Tiranës, i them me bindje të plotë,… mos i dëgjoni… se asgjë nuk është e vërtetë.
Flasin kolegët e mi të nderuar për “përpjekjet e tyre të shumta, diskutimet e gjata apo edhe për një mori shkresash pafund”, me Rektorin e UT-së……sikur Rektori të zgjidhej prej tyre. Por jo të nderuar kolegë, …..Rektorin e zgjedhin pedagogët dhe studentët.
Flasin dekanët e nderuar “për konstatimin e shkeljeve të rënda dhe të vazhdueshme ligjore në veprimtarinë e Rektorit të UT”….por asgjë nuk është e vërtetë dhe asnjëri prej tyre nuk di të thotë se cilin ligj Rektori ka shkelur dhe cilin nen apo gërmë të tyre nuk ka zbatuar ashtu siç duhet Rektori.
A mundet ndonjëri prej tyre të tregojë konkretisht se cilën kompetencë që i jep ligji dhe të kujt autoriteti apo organi drejtues në institucion Rektori ka penguar për t’u zbatuar?
Flasin dekanët e nderuar për proçesin e akreditimit të institucionit…..
Po le t’i tregojmë opinionin publik se mbi cilën periudhë u akreditua Universiteti i Tiranës dhe cilët janë këta 4 dekanë të nderuar që sot kërkojnë shkarkimin e Rektorit:
Në fakt ata janë të gjithë ish-drejtuesit e Universitetit të Tiranës për periudhën që UT u akreditua. Konkretisht ata janë: ish-rektori i UT sot Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, ish-zv.Rektori i UT sot Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, ish-zv.Rektori tjetër i UT sot zv.Ministër i Arsimit, ish-Drejtori Juridik në Rektorat, sot Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Kjo tregon qartazi lidhjet dhe shpjegon arsyet se përse mbështesin kaq fort njëri- tjetrin.
Do të doja t’i drejtohesha me disa pyetje kolegëve të mi të nderuar:
Ku ishit ju kur ju informoja se ish-kancelari i UT po përdorte në shkresa zyrtare një vulë të paligjshme dhe jo me protokoll të institucionit?…por ju përkundrazi, i pranonit dhe i zbatonit ato shkresa.
Ku ishit ju kur pagat e punonjësve u kaluan në Thesarin e Shtetit me vulë të paligjshme?
Ku ishit ju kur në mënyrë të vazhdueshme ju kam bërë me dije për të gjitha shkeljet ligjore të ish-kancelarit dhe gjithashtu sot të administratorit të institucionit ?..përkundrazi i mbështesni ato.
Ku ishit ju kur ju kam kërkuar bashkëpunim dhe bashkërendim të punëve në institucion? …..përkundrazi, në mënyrën më arrogante i keni refuzuar ato.
Ku jeni ju kur ju njoftoj për mbledhje të Rektoratit dhe të Senatit Akademik? ….i bojkotoni ato dhe gjithmonë të gjithë bashkë…..
Të nderuar kolegë,
Edhe ju e dini shumë mirë se nuk është Rektori ai që ka bllokuar databazën e të dhënava të pedagogëve dhe të studentëve; nuk është Rektori arsyeja që prej gati një viti vonohet marrja e pagave në institucion; nuk është Rektori arsyeja që nuk ka sistem ngrohje -ftohje fakulteti i Drejtësisë; që nuk ka letër apo bojë kompjuteri, etj etj…që për herë të parë në historinë e institucionit, nuk u realizua buxheti i vitit 2017.
Të gjitha këto kanë vetëm një arsye, të mbrojnë ish-kancelarin, të mbrojnë sot administratorin dhe sigurisht, Bordin e Administrimit të institucionit dhe ta drejtojnë atë.
Por në fakt, ju të nderuar Dekanë nuk mbroni as ato, ju mbroni vetëm veten tuaj, mbroheni nga ato çfarë janë bërë në institucion në kohën kur ju e drejtonit atë.
Edhe ju e dini shumë mirë se unë nuk kam bërë asnjë gjë gabim, se unë nuk kam shkelur asnjë nen dhe asnjë gërmë të ligjit. Në rast të kundërt, sot nuk do të isha akoma Rektor i Universitetit të Tiranës.
Ju siguroj se do të vazhdoj të kërkoj nga organi i akuzës që të shqyrtoj çdo çështje për të cilën unë i jam drejtuar, në mënyrë që çdo kush që ka shkelur ligjin të dënohet dhe e drejta dhe ligji të triumfojë.
Ju siguroj se do të vazhdoj të jem Rektor i UT-së deri në përfundimin e mandatit tim të parë duke u përgatitur për mandatin tim të dytë.
Gjithashtu, ju siguroj se askush dhe për asnjë arsye nuk më ndal në rrugën time të së drejtës, sepse me vete kam ligjin dhe Zotin!
/AlpeNews.al/