Komisioni për Integrimin Evropian ka zhvilluar një seancë dëgjimore me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj mbi zbatimin e prioriteteve të KE për prioritetet 2, 3 dhe 5. Gjonaj u shpreh se Ministria e Drejtësisë mbulon 3 prioritetet kryesore, ndërsa reforma në drejtësi është një nga reformat më të rëndësishme.
“Ministria e drejtësisë mbulon 3 prioritetet kryesor të KE dhe reforma në drejtësi është një nder reformat me të rëndësishme e cila ndryshoi tërësisht sistemin. Në vitin 2018, Ministria e Drejtësisë do miratojë rreth 60 akte nenligjore dhe do ketë mbështetje buxhetore për organet e reja të Drejtësisë. Gjithashtu do të ngrihen qendrat për rehabilitimin e të miturve”- tha Gjonaj.
Ndër të tjera ministrja e Drejtësisë u shpreh se ndihma juridike nuk ka funksionuar, ndërsa ka nisur reforma në burgje.
“Ndihma juridike falas nuk ka funksionuar. Ne kemi nisur reformën në burgje, pasi gjendja në burgje nuk ka qenë e mirë para disa vitesh, por brenda shkurtit do hapet burgu i ri në Shkodër dhe situata është përmirësuar. Në burgje janë 230 punonjës me rekorde kriminale”- tha Gjonaj.


